2007-12-20 18:34:02

Pas OKB-së, Bashkimi Evropian gati për Kosovën


(20.12.2007 RV)RealAudioMP3 Mbledhja e djeshme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën përfundoi pa ndonjë të re. Vendet dolën nga salla me dyer të mbyllura, duke ruajtur qëndrimet e tyre. Serbia, e mbështetur nga Rusia, kërkoi shtyrjen e bisedimeve, por si SHBA-të, ashtu edhe Bashkimi Evropian e bënë të qartë se koha e negociatave ka përfunduar. Sipas deklaratës së ministrit të jashtëm italian, Masimo D’Alema, që drejtoi mbledhjen, Bashkimi Evropian do të vazhdojë përgatitjen për misionin që do të disllokohet në Kosovë, pa Këshillin e Sigurimit. D’Alema sqaroi edhe se nuk mund të flitet për pavarësi të plotë, por për pavarësi të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, e kjo është për momentin perspektiva e Kosovës.
Edhe ministri i jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, duke folur sot në Bruksel për përparësitë e gjashtëmujorit të presidencës së Bashkimit Evropian, që Sllovenia e merr më 1 janar 2008, mbështeti idenë e pavarësisë së kufizuar për Kosovën. Ai madje, theksoi se misioni evropian do të shkojë në Kosovë duke respektuar rezolutën 1244 të OKB-së. Për aspektet teknike të disllokimit në vend do të flitet në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet më 28 janar.
Ndërkaq, shërbimet sekrete ndërkombëtare paralajmërojnë për rrezikun e rritjes së tensionit, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Në zonat pranë Mitrovicës, po armatosen si serbët, ashtu edhe shqiptarët. Rreziku vjen edhe nga Bosnja, ku pjesë të ndryshme të popullsisë mund të mobilizohen për t’u bashkuar me njërën ose me tjetrën palë. Të dëgjojmë mendimin e historianit italian Roberto Moroco dela Roka, docent i historisë së Evropës Lindore në Universitetin Roma III:
Dyshimi që ngrenë shumë vetë është ai i një reagimi ushtarak serb. Në të vërtetë, qeveria serbe ka deklaruar se nuk do të reagojë ushtarakisht. Por disa mendojnë se ajo do të përpiqet të pushtojë zonën veriore të Mitrovicës, ku banon pjesa serbe e Kosovës. Ky territor mund të ishte një lloj kompensimi për serbët në negociatat për statusin, por nuk u është ofruar kurrë atyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.