2007-12-19 17:05:27

Benedikti XVI në audiencën e fundit të përgjithshme të 2007-tës uron: “Jezusi i sjelltë njerëzimit paqe e drejtësi”.


(19.12.2007 RV)RealAudioMP3 Çdo i krishterë e ka për detyrë ta kumtojë të vërtetën e Krishtlindjes, lindjen e Foshnjës së Betlehemit, që ndryshoi historinë e njeriut: është porosia që u dha sot Papa besimtarëve në audiencën e 44-t dhe të fundit të përgjithshme për vitin 2007, mbajtur në Sallën e Palit VI. Papa uroi që në këtë Krishtlindje të realizohen shpresat e njerëzimit për paqe e drejtësi. Ndërkaq Prefektura e Shtëpisë Papnore njoftoi se gjatë vitit 2007 në takimin tradicional të së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit ose në Sallën e Palit VI, kanë marrë pjesë 624 mijë shtegtarë. Por, të rikthehemi tek audienca e sotme, që u mbajt në atmosferën festive plot tinguj muzike e këngësh, kënduar nga koret e Krishtlindjes.
“Gjithë jeta e njeriut është pritje e, për ne të krishterët, pritje përplot me shpresë ungjillore”: ky është reflektimi i Benediktit XVI, i cili nënvizoi se Koha e Ardhjes, për antonomazi kohë e pritjes vigjilente, na shtyn t’i rijetojmë shpirtërisht emocionet e Marisë e të Jozefit, në ditët kur prisnin lindjen e mrekullueshme të Jezusit. Prandaj, posaçërisht në këto ditë, dishepulli i Krishtit është i thirrur ta gatitë zemrën për ta pritur Zotin që vjen:
Pritja e besimtarit shpreh kështu shpresën e mbarë njerëzimit, i cili dëshiron, nganjëherë në mënyrë të pavetëdijshme, shëlbimin që vetëm Hyji mund të na e dhurojë”.
Lutjet e Nëntëditshes së Krishtlindjes – shtoi Papa – shprehin pritjen për dhuratën e lindjes së Shëlbuesit të premtuar. Është një ngjarje e madhe, që kërkon nga secili prej nesh t’i përgatisë një banesë të denjë jo vetëm në ambientin që na rrethon, por sidomos në shpirt. Më pas Papa shtoi, jashtë tekstit zyrtar, një reflektim mbi kuptimin e vigjilencës në Kohën e Ardhjes. “Vigjilencë – tha Shenjtëria e Tij – do të thotë të jetosh nën sytë e gjykatësit e ta përgatisësh vetveten e botën për t’u paraqitur para Drejtësisë. Në këtë mënyrë – vijoi Ati i Shenjtë – duke jetuar poshtë syve të Hyjit Gjyqtar, mund t’i hapim portat e botës për ardhjen e Birit të tij e portat e zemrave tona, për ta pritur Zotin që vjen.
“Ndoshta sot ne, edhe si besimtarë, nuk e presim realisht Gjykatësin, por pa dyshim të gjithë presim drejtësinë, sepse shikojmë shumë padrejtësi në botë, në botën tonë të vogël, në botën e shtëpisë, të lagjes e në botën e madhe të shteteve e të shoqërisë. Presim me padurim të mbrohet e drejta. Në këtë kuptim lutemi: “Eja, o Jezu Krisht, si gjykatës në botën tënde!” E Zoti e di si të hyjë në botë e të vendosë drejtësinë”.
Më pas Papa foli për mënyrën si e shikon sot lindjen e Jezusit bota e shekullarizuar, kaotike dhe i nxiti besimtarët ta dëshmojnë misterin e shëlbimit, që sjell me vete kremtimi i Krishtlindjes.
“Në se nuk pranohet që Hyji u bë njeri, ç’kuptim ka Krishtlindja? Duhet që, sidomos ne, të krishterët, ta ripohojmë me bindje të thellë e të ndjerë të vërtetën e Lindjes së Krishtit, për t’u dëshmuar të gjithëve vetëdijen e një dhurate të pashembullt, që është pasuri jo vetëm për ne, por për të gjithë”.
Nga ky mister buron detyra e ungjillëzimit, që është pikërisht komunikimi i këtij lajmi të mirë – tha Papa – dhe kujtoi, në vijim, Notën e Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi ungjillëzimin.
Më pas Benedikti XVI iu lut Zotit t’i japë paqen njerëzimit dhe ta nxisë të jetë më i ndjeshëm ndaj formave të vjetra e të reja të varfërisë e ndaj së mirës së përbashkët. Në përfundim Ati i Shenjtë uroi që Krishtlindja të jetë për të gjithë festë e paqes dhe e gëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.