2007-12-18 17:27:39

Nesër audienca e fundit e përgjithshme e Benediktit XVI për vitin 2007. Në takimet e së mërkurës kanë marrë pjesë një gjysëm milion besimtarë.


(18.12.2007 RV)RealAudioMP3 Nesër Benedikti XVI do të mbajë audiencën e 44-t e të fundme të përgjithshme për vitin 2007. Gjatë këtyre 12 muajve, Papa përfundoi katekizmin mbi përvojën e Apostujve të parë dhe filloi ciklin e katekizmit mbi brezninë që vjen menjëherë pas tyre. Por Benedikti XVI ka folur edhe për kohët e forta të Vitit liturgjik si dhe për shtegtimet apostolike në Brazil e në Austri. Në audiencën e parë të përgjithshme të vitit të kaluar, më 3 janar, Papa i drejtoi sytë nga Shpella e Betlehemit duke i ftuar të gjithë besimtarët ta mirëpresin këtë ngjarje të jashtëzakonshme, që e ndryshoi përgjithnjë historinë e njeriut:
“Në dritën e Krishtlindjes secilit nga ne i dëftohet mirësia e pafundme e Hyjit. Në Jezusin, Ati qiellor lidhi një marrëdhënie të re me ne; na bëri bij, në Birin e vet”.
Më 14 shkurt, duke përfunduar ciklin e katekizmit kushtuar dëshmitarëve të krishterimit në fasha, të përmendur në shkrimet e Besëlidhjes së Re, Ati i Shenjtë, theksoi rolin tepër të rëndësishëm të grave në përhapjen e Ungjillit:
“Historia e Krishtërimit do të kishte pasur një zhvillim krejt tjetër, në se do të kishte munguar ndihma fisnike e shumë grave. Prandaj, siç shkruan edhe Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II në letrën apostolike Mulieris dignitatem “Kisha e falënderon Zotin për të gjitha gratë e për secilën prej tyre.... si dhe për të gjitha shprehjet e gjenisë femërore, që janë shfaqur në rrjedhë të historisë ndërmjet popujve e kombeve”.
Më 7 mars, në meditimin mbi Shën Klementin romak, Papa nisi ciklin e ri të katekizmit kushtuar Etërve apostolikë, dmth breznisë së dytë pas apostujve. Nga Tertuliani tek Shën Bazili, nga Shën Gregor Nacianceni tek Shën Jeronimi, javë pas jave Papa përshkroi figurat dhe trashëgiminë shpirtërore të këtyre viganëve të fesë. Më 28 mars, duke folur për Shën Ireneun nga Lioni, Ati i Shenjtë nënvizoi vlerën e mësimeve të ipeshkvijve, lidhur me traditën e pandërprerë që vjen nga Apostujt:
“Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë, që transmetohet nga Kisha, është marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë, mjafton të njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që u është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”.
E me 24 tetor, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin shkëputur nga dëshmia e jetës:
“Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.
Në takimet e tij me shtegtarët, Papa ka medituar edhe për çastet më të rëndësishme të papnisë së tij e, në radhë të parë, për shtegtimet apostolike ndërkombëtare. Në audiencën e 23 majit e përmblodhi kështu vlerën e vizitës së tij në Brazil:
”Shtegtimi im pati sidomos vlerën e falënderimit drejtuar Zotit për mrekullitë që ka kryer në popujt e Amerikës Latine, për fenë që ka gjallëruar jetën e tyre e kulturën e tyre gjatë më se pesëqind vjetësh. Në këtë kuptim ky ishte një shtegtim që arriti kulmin në Shenjtëroren e Zojës Apareside, Pajtores kryesore të Brazilit”.
Ndërsa më 12 shtator, Papa u rrëfeu shtegtarëve emocionet e thella që jetoi gjatë shtegtimit në shenjtëroren mariane austriake të Mariacelit:
“Ishte një prani gazmore e emocionuese në një Kishë që, ashtu si Maria, është e thirrur gjithnjë të ‘shikojë Krishtin’, për t’ia treguar e për t’ia dhuruar pastaj të gjithëve; një Kishë mësuese e dëshmitare, e cila pohon bujarisht jetën në çdo përmasë të saj; një Kishë që aktualizon traditën e vet dymijëvjeçare në shërbim të ardhmërisë së paqes e të përparimit të vërtetë shoqëror për mbarë familjen njerëzore".







All the contents on this site are copyrighted ©.