2007-12-18 17:27:51

Atë Lombardi mbi akuzat që i bëhen Papës nga al Kaeda: dialogu, në rritje, me islamin, shqetëson vetëm ata që nuk e duan.


(18.12.2007 RV)“Kontaktet e dialogut, që po përparojnë me nxitjen e përfaqësuesve të rëndësishëm myslimanë, si mbreti i Arabisë Saudite dhe 138 liderët islamikë, janë një e vërtetë domethënëse për mbarë botën myslimane: fakti që këto zëra, të cilët shprehin qartë dëshirën të dialogojnë e të impenjohen për paqen, dëgjohen gjithnjë më me vëmendje në botën islamike, i shqetëson ata që nuk e dëshirojnë dialogun. Me këto fjalë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit dhe drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, komentoi dje akuzat drejtuar Benediktit XVI në një video, nga Aiman al-Zavahiri, numri 2 i rrjetit terrorist të al-Kaedës. Ai, duke treguar pamjet e audiencës së Papës me presidentin e Arabisë Saudite, e cilësoi Benediktin XVI si ‘Papa që ka fyer islamin’. Qëndrimi kundër Papës – vëren akoma Atë Lombardi – nuk na çudit, as nuk na krijon ndonjë shqetësim të veçantë, prandaj edhe nuk i duhet kushtuar shumë vëmendje.

Në përkim me drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit është edhe Adnan Mokrani, teolog mysliman, pedagog në Universitetin Papnor Gregorian i cili, në një intervistë dhënë agjensisë SIR, pohoi qartë se dialogu ndërmjet islamit e krishtërimit nuk mund të kthehet mbrapa, sepse tashmë ka filluar seriozisht. Dialogu – vijon Mokrani – është parim i rrënjosur thellë në fetë e ndryshme e posaçërisht në ato abramitike. Besoj se rruga e dialogut është njëkohësisht fetare e civile. Ajo na mëson të bashkëpunojmë për paqen, drejtësinë, pajtimin, të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.