(17.12.2007 RV)Të dashur miq, po
vijojmë rubrikën tonë ‘Udhës së Betlehemit’ e cila sot, na çon simbolikisht në thellësi
të traditës së kombit shqiptar, kur kalohej nga paganizmi në krishtërim e Nata pagane
e Buzmit bëhej Nata e Sh’Këndellës- Nata e lindjes së Krishtit, që vjen për të kndellë
gjithçka. Ta jetojmë simbolikisht së bashku për disa çaste ‘Natën e Buzmit’ e brohorinë
e saj: “Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat
e Zotit!”.
Tri ditë mbassi të kthejë moti mbarë bjen kjo natë, në të cilën
do të lutet shtëpi për shëpi të knellunt e jetës me nje ceremoni të veçantë për rreth
buzmit bujar, mbas ritualit mâ të pastër, ruejtë ndër malet e Dukagjinit deri
ndër ditë t’ona. Asht nata e buzmit! Nepër të tana katundet e Shqipnís së Veriut
duhet me djegë buzmat në ketë natë, ke fillon të knellunt e jetës së ré. Buzmat janë
trí copa drû arre dy–vjeçe. Paradite nje burrë shtëpije, mbassi të jét la shtetsh
1 , pse nuk bân me i nxjerrë buzmat pa u lám, shkon në mal për me i nxjerrë
dhe i bjen te shtëpija. I pështetë përjashta murit të shtëpís në nji vend ku mos t’i
prekë kerkush deri të vijë koha e darkës. Kur të bâhet koha e darkës, i zoti i
shtëpís gaton zjarmin e ri. Dy burra tjerë dalin jashta shtëpije dhe i marrin
ata buzma për dy skâjesh tue ndejë njâni mbas tjetrit e ashtu u ngjiten shkallvet
deri te praku i derës. Aty i thrrasin të zotit të shtëpís, si t’ishin miq të largët:
- O i zoti i shtëpìs! - Askush nuk u a dredhë gjegjen. Thrrasin së dyti; prap heshtim
i plotë prej mbrendanit të shtëpís; kur të thrrasin së treti - Hojjaa! Përgjigjet
i madhi i familjes prej së mbrendanit. - Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar,
me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit! - Mirë se u bjen Zoti
! Pastu prù ora me nafakë ! – pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë. Tue hym buzmi
mbrendë, të gjith misat e shtëpís çohen në kambë; hjekin kapuçat, e ndërsa i zoti
i shtepís njéh uratime, 2 dikush blegron si delme, tjetri virrë si dhì,
kush pallë si lopë e kush brylekë si kau, fëmija ndjekin me zâ kingjat, edhat e viçat
e vathit e kështu s’ prâjnë tue ndjekë me zâ të gjitha shtâzët shtëpiake deri sa të
vendohen buzmat në zjarm prej të zotit të shtëpís, i cili me mâ të madhin nderim i
mbulon me shpuzë zjarmi, tue i ruejtë mos të digjen skâjesh, pse ato una duhen nesër
për me bâ lamin. Atëherë ulet treveza e vihet pija; por përpara do të kryhet edhe
një flijim i veçantë. Në nji quk 3 të zgavrruem manakali 4 në
trup të buzmit, i zoti i shtëpís qet farën e të gjith sendit shka t’i prodhojë toka,
tue i a lypë Zotit emën për emën me i a falë secilen farë qi qet n’atë gropëz. Atëherë
merr gotën e rakís. Robët e shtëpís rrijnë gjithnji në kambë, ndersa i zoti i shtëpís
me gotë të pijes në dorë kështu i falet buzmit bujar, ku kqyrin të gjith pjestarët
e familjes: Të falemi buzmi bujar ! Unë po të falem me krezhmi; ti m’u fal me bulshí
e me gjith të mirat e Zotit; ti me na i falë e me na i bâ nafakë ! - e gotën
e parë i a derdh buzmit n’at quk. Mun në ketë kohë e zoja e shtëpís, qi gjindet në
tjetrën anë të votrës, qet edhe kjo n’at vrimë të buzmit pak tlynë e pak djathë, tue
i u lutë Zotit e buzmit me i a falë bylmetin shtëpís. Baríjt atëherë qesin përmbi
buzma do pipa lejthije për mos me u dalë dybëza 5 dhivet. Zjarmi do
të ruhet gjith natën deri të bâhet lami, e askush s’do të frŷjë n’at zjarm, për mos
me thyem era pemët në verë. Mandej ulen të gjith në tryezë për me darkuem. Ne
ketë natë, nuk ka shtëpí sado e vogël ajo të jét, qi nuk gaton fërlikun e buzmit –
nji laknuer petash të grujta e arrash. – Para se me nisë bukën, i zoti i shtëpís i
bjen lehtë me sup të krahut të majtë shoqit qi ka për brî, tue uruem me këto fjalë:
Ar m’arë si duejt n’arë; e ashtu si janë të gjith rreth treveze përsërisin
këto fjalë me rend, tue ndeshë shoqishojnë me supa të krahut. Si të kryhet e ndeshuna
e parë, fillon prap i zoti i shtëpís, por në krah të djathët e vetëm mbassi të kryhet
kjo ceremoní, hahet darka. Tregimi kushtuar ‘Natës së Buzmit’ u mblodh në Dukagjin
nga Atë Bernardin Palaj, ofm