2007-12-17 18:33:43

Papa autorizon shpalljen e Dekreteve për gjashtë lumnime të reja. Njihen virtytet herioke të Nenolinës së vogël.


(17.12.2007 RV)Kisha do të ketë së shpejti 6 të lum të rinj. Sot paradite Benedikti XVI autorizoi Kongregatën e Shenjtorëve për të shpallur Dekretet përkatëse. Përveç tyre, u njihen virtytet heroike edhe tetë Shërbëtorëve të Zotit, ndërmjet të cilëve, edhe Antonia Meo, e njohur si Nenolina, shenjtorja më e re jo martire në historinë e Kishës katolike
Nenolina lindi në Romë më 15 dhjetor 1930 në një familje thellësisht të krishterë. Ishte fëmijë i gjallë e lojcak. E pikërisht duke luajtur në oborrin e kopshtit, një ditë vrau gjurin. Dhimbjet shtohen, mjekët diagnostikojnë ‘osteosacromë’. Duhet prerë këmba. Nenolina është vetëm 5 vjeçe. Pas prerjes së këmbës, ajo vë një këmbë druri e vijon jetën e vet fëmijnore. Në këtë periudhë tepër të vështirë e të dhimbshme, shkruan njëqind letra drejtuar Jezusit, Zojës së Bekuar, Atit qiellor e Shpirtit Shenjt. Letrat flasin pë një jetë në bashkim mistik vërtetë të jashtëzakonshëm. Ja njëra prej tyre: “I dashur Krisht Fëmijë, ti je shenjt. Ti je i mirë, ma fal hirin që po të kërkoj, ma jep rishtas këmbën time. Por, në se nuk dëshiron, u bëftë vullneti yt… Vetëm mos ik nga zemra ime, rri gjithnjë me mua!”.
Nenolina dha shpirt më 3 korrik 1937. Sapo kishte mbushur 6 vjeç. Të lumët e tjerë janë Mikel Sopoko, prift dioqezan, Xhakomo Da Gazir Haddad, rregulltar kapuçin, themelues i Kongregatës së Motrave Françeskane të Kryqit në Liban; Maria Madalena Sordini, themeluese e Institutit të rregulltareve të Adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament; Gjovana Emilia di Vilanëvë, themeluese e Motrave të Zojës së Papërlyer; Vinçenca Maria Poloni, themeluese e Institutit të Motrave të Mëshirës; Maria Jozefina e Jezusit të Kryqëzuar, murgeshë karmelitane; Françesk Motola, prift dioqezan e themelues i Institutit shekullar të Oblateve të Zemrës së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.