(16.12.2007 RV)Emri Adelajde, shumë i përhapur në Shqipëri, ku ka marrë trajtën
e shkurtuar Lajde e Adela, vjen nga gjermanishtja e lashtë dhe do të thotë “bijë bujare”. Adelajdia
lindi në vitin 931. I ati, Rudolfi, ishte mbreti i Borgonjës, e ëma, Berta, e bija
e Lotarios, mbretit të Italisë. Si mbeti e vejë mbas tri vjet martese të lumtur, Adelajdia
u persekutua e u burgos nga Berengari II i Friulit, që kishte shtënë në dorë mbretërinë
e Italisë, vetëm sepse nuk pranoi të martohej me të birin. U lirua nga Ottoni I, me
të cilin u martua e pati tre fëmijë. Ndërmjet tyre, Otonin II. Grua me aftësi të rralla
intelektuale, Adelajdia mori pjesë gjallërisht në drejtimin e shtetit. Në vitin 962
papa Gjoni XII e kurorëzoi së bashku me të shoqin, Otonin I. Pas vdekjes së Otonit,
kaloi përsëri një periudhë tepër të vështirë, për shkak të të birit, Otonit II dhe
së resë, Teofanisë. Nga viti 983 i mori në dorë frenat e shtetit si kujdestare e
nipit të mitur, Otonit III. Mbretëroi me urti të jashtzakonshme, duke i kushtuar vëmendje
të dorës së parë nevojtarëve. U lidh kështu me lëvizjen e reformës së Klunit, posaçërisht
me abatët Maiolo e Odilone. Ndërtoi kisha e kuvende, ndihmoi me të dyja duart të
gjithë njerëzit e kishës që i drejtoheshin për të kërkuar mbështetje, derisa u tërhoq
në kuvendin benediktin të Selcit në Strasburg, që e kishte themeluar vetë, ku u përgatit
për një vdekje të shenjtë. Mbylli sytë më 16 dhjetor të vitit 999. Nisi të nderohej
si shenjte në Alsasë shumë më parë se të shpallej shenjtore nga Urbani II në vitin
1097. Megjithatë emri i saj nuk përfshihet në Martiriologun Romak. Jetën e Shën Adelajdes
e shkroi Abati Odilone, i cili e njohu nga afër Shenjtoren.