2007-12-16 13:02:27

Sot, para Engjëllit të Tënzot, Papa vizitoi famullinë romake të Zojës Rruzare tek Martirët Portuensë.


(16.12.2007 RV)Sot Papa tha lutjen Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios së tij private, së bashku me shtegtarët që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
Pastaj bekoi shtatoret e Foshnjës Hyjnore, që i kishin sjellë me vete shtegtarët, shumë nga të cilët fëmijë e të rinj, grumbulluar në Sheshin e Shën Pjetrit, në sa në mjes të Sheshit spikat Bredhi vigan, stolisur për festë, pranë Shpellës së madhe të Betlehemit, ende në përgatitje e sipër. Shtatoret, pas bekimit të Papës, do të jenë gati për t’u vendosur në djepat e zbrazur të Shpellave të Betlehemit pikërisht në mesnatën e Këshndellave, kur Krishti vjen rishtas ndërmjet nesh, për të gjetur aty – siç u shpreh Papa gjatë lutjes, Shën Marinë e Shën Jozefin, dëshmitarë të heshtur të një misteri tepër të lartë. Me shikimin e tyre plot dashuri, ata na ftojnë të lutemi, në pritje të ardhjes së Shëlbuesit Hyjnor, i cili vjen për t’i sjellë botës gëzimin e Krishtlindjes.
Atmosfera festive e lutjes u gjallërua në mënyrë të posaçme nga prania e dymijë fëmijëve, të cilët në njërën dorë mbanin Shtatoren e Foshnjës hyjnore, në sa me dorën tjetër shtrëngonin fort duart e prindërve e të afërmve, që i shoqëronin.
Para lutjes mariane Ati i Shenjtë vizitoi famullinë romake të Zojës Rruzare të Pompeit tek Martirët Portuensë. Shenjtëria e Tij kryesoi Meshën dhe ritin e shugurimit të Kishës së re. Bashkëkremtuan me Papën kardinali vikar, Kamilo Ruini dhe disa personalitete të tjera kishtare, ndërmjet të cilëve edhe eprori i përgjithshëm i vëllazërisë meshtarake të misionarëve të Shën Karl Borromeut.
Në përfundim të kremtimit, Ati i Shenjtë përuroi sallonin e ri të famullisë, ndërtuar në vendin ku më parë ishte kisha e vjetër. Do të quhet ‘Salloni Benedikti XVI’.
Ishin të pranishëm 300 fëmijë që kanë marrë sivjet kungimin e parë. Njëri prej tyre i drejtoi Papës një përshëndetje fëmijnore. Kujtojmë se nuk është hera e parë që kjo famulli ka gëzimin të presë në gjirin e saj një papë. Besimtarët e kanë ende të skalitur në kujtesë një vizitë tjetër, atë të Gjon Palit II, që ishte këtu për vizitë më 8 nëntor 1998.







All the contents on this site are copyrighted ©.