2007-12-14 18:35:45

Kisha ripohon, në një Notë, nevojën që Ungjilli t’u kumtohet të gjithë njerëzve.


(14.12.2007 RV)U paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit një ‘Notë doktrinore’ e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ‘Mbi disa aspekte të ungjillëzimit’. Dokumenti, i miratuar nga Benedikti XVI, që ripohon nevojën e kumtimit të Ungjillit, duke shmangur rreziqet e relativizmit e të indiferentizmit fetar, u shpjegua nga kardinali prefekt i dikasterit, Uilljam Jozef Levada, së bashku me sekretarin, kryeipeshkvin Angjelo Amato. Të pranishëm edhe kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për ungjillëzimin e popujve dhe kardinali Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për kultin hyjnor dhe disiplinën e sakramenteve.
“Kumtimi dhe dëshmimi i Ungjillit janë shërbimi i parë që të krishterët mund t’i bëjnë çdo njeriu dhe mbarë gjinisë njerëzore, të thirrur siç janë për t’u komunikuar të gjithëve dashurinë e Hyjit, që u dëftua plotësisht në Shëlbuesin e vetëm të botës, Jezu Krishtin”. Nota citon këto fjalë të Benediktit XVI, për të ripohuar, duke respektuar plotësisht lirinë fetare, të drejtën e çdo njeriu për të njohur të vërtetën që shpëton dhe detyrën për ta shpallur këtë të vërtetë, e cila i takon çdo besimtari. Dokumenti flet për një konfuzion në rritje, që i shtyn shumë njerëz të mos i binden urdhërit misionar të Zotit, duke e shikuar si të ishte atentat kundër lirisë së tjetrit, ose sjellje intolerante. Disa mendojnë se mjafton të jepet ndonjë dëshmi shoqërore ose të ndihmohen njerëzit të jenë më shumë njerëz - e besimtarët, t’i besojnë më shumë fesë së tyre. Në sa në Notë ripohohet se Kisha është e nevojshme për shëlbimin e vërtetë, që nuk i kundërvihet faktit se Hyji dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen. Edhe pse jo të krishterët mund të shëlbohen me hirin që Hyji e jep përmes udhëve të cilat i njeh ai vetë, Kisha nuk mund të mos e ketë parasysh faktin se atyre u mungon e mira më e madhe e kësaj bote: mundësia për të njohur fytyrën e vërtetë të Hyjit dhe për t’u bërë miq me Jezu Krishtin, e dhe faktin se të jetosh në errësirë, pa e njohur të vërtetën mbi çështjet e fundme, është një e keqe, ku shpesh e kanë zanafillën vuajtje e skllavëri, nganjëherë dramatike.
Sot – vijon Nota – pluralizmi i ligjshëm i qëndrimeve ia ka lënë vendin një pluralizmi të padiferencuar, të bazuar mbi supozimin se të gjitha qëndrimet kanë të njëjtën vlerë. Përveç tjerash, respekti për lirinë fetare dhe promovimin e saj nuk duhet të na bëjnë në asnjë mënyrë indiferentë ndaj së vërtetës e së mirës. Nga ana tjetër – nënvizohet se liria fetare është një e drejtë që, për fat të keq, në disa vende të botës nuk njihet akoma ligjërisht, ndërsa në vende të tjera, nuk respektohet faktikisht.
Në frontin ekumenik, Nota nxit bashkëpunimin me konfesionet tjera të krishtera, duke i respektuar traditat e tyre, por edhe duke përjashtuar çdo lloj forme të ‘konfuzionizmit’. Është fjala për të zhvilluar një dialog që respekton dashurinë dhe vërtetësinë; sjellje kjo që nuk e përjashton askënd nga përgjegjësia për t’ua kumtuar plotësisht fenë katolike të krishterëve të tjerë, pa u akuzuar për prozelitizëm.Kisha – pohon Dokumenti – nuk synon kurrfarë pushtetit: dëshiron thjeshtë që të gjithë njerëzit ta njohin plotësisht të vërtetën e të kenë mjetet e shëlbimit, për të hyrë në lirinë e në lumninë e bijve të Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.