2007-12-14 17:15:52

Edhe shqiptarët protestojnë në Bali për klimën


(14.12.2007 RV)Samiti i Balit në Indonezi për klimën vazhdon derisa të arrihet një marrëveshje ndërmjet të mëdhenjve të kësaj bote. Qëllimi është reduktimi i gazrave që ndotin atmosferën dhe shkaktojnë efektin serë në masën 25-40% deri në vitin 2020, duke përcaktuar kështu një protokoll, që të zëvendësojë e të jetë vazhdim i atij të Kiotos. Ky të paktën është objektivi i Bashkimit Evropian dhe i OKB-së, i kundërshtuar nga SHBA-të dhe Kanadaja, që janë përgjegjëse për 50% të ndotjes atmosferike. Por, pasdite tonet ishin më optimiste e mesa duket marrëveshja do të arrihet. Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian ka thirrur urgjentisht për këtë ministrat e ambientit. Një kuriozitet: qindra vetë kanë protestuar para ndërtesës, ku bëhet mbledhja. Në mesin e turmës spikatën edhe disa persona me flamurin shqiptar në duar. Një këmbanë paralajmëruese për qeverinë e Tiranës, e cila është marrë tepër pak me përmirësimin e ndotjes së ambientit në Shqipëri, ku në vende të caktuara tejkalon çdo nivel të lejuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.