Papa universitarëve romakë: “Pa parime etike, shkenca, teknika e politika mund të
përdoren jo për mirë, por për keq”. Universitarët shqiptarë ia dorëzuan rumunëve ikonën
e Zojës ‘Selia e dijes’.
(13.12.2007 RV)Sot, në Bazilikën
e Shën Pjetrit në Vatikan, bashkësia universitare e Romës u takua me Benediktin XVI.
U përsërit, kështu, takimi tradicional i studentëve me Papën në përgatitje të Krishtlindjes,
organizuar për herë të parë nga Gjon Pali II në vitin 1979. Sipas programit,
në orën 17. 00 u kremtua Eukaristia, kryesuar nga kardinali- vikar Kamilo Ruini. Në
përfundim të ritit, të rinjtë u takuan me Papën, i cili u propozoi dy reflektime të
shkurtëra. Së pari u ndalua tek udha e formimit shpirtëror të universitarëve, duke
shpjeguar se dioqeza e Romës e ka përqëndruar vëmendjen kryesisht tek përgatitja e
150 të rinjve për sakramentin e Krezmimit, nismë shumë e rëndësishme dhe pjesë përbërëse
e përgatitjes shpirtërore për Ditën Botërore të Rinisë në Sidnei, në korrik 2008. Papa
i ftoi të rinjtë të marrin shembull nga Virgjëra Mari, nga pranimi i saj, për t’ia
hapur zemrat dritës hyjnore. “Shpirti Shenjt hyn në jetën tonë në atë masë,
me të cilën ne ia hapim zemrat thirrjes hyjnore”. Për ta kuptuar më mirë këtë,
Benedikti XVI përdori simbolin e dritës e të dritareve. Po t’i mbyllim hermetikisht
dritaret – kujtoi Papa - dielli, sado i shkëlqyer të jetë, nuk mund ta ndriçojë shtëpinë.
Në se ka ndonjë plasë të vogël, hyn një rreze drite; në se plasa bëhet më e madhe,
dhoma nis të ndriçohet e kur i hapim plotësisht dritaret, rrezet e diellit derdhen
brenda dhe e mbushin gjithë shtëpinë me dritë. Prej këndej Ati i Shenjtë i ftoi
të rinjtë t’ia hapin plotësisht zemrat dritës e gëzimit të Shpirtit Shenjt. Si
reflektim të dytë Papa propozoi Enciklikën e tij ‘Spe salvi’: (Me shpresën shpëtuam),
të cilën ua dorëzoi simbolikisht universitarëve të Romës e, përmes tyre, gjithë botës
së universitetit, të shkollës, të kulturës e të edukimit. “Tema e shpresës
a s’i përshtatet plotësisht të rinjve? – pyeti Papa - e në vijim propozoi që ta
përdorin si temë reflektimi e ballafaqimi, edhe në grupe, atë pjesë të Enciklikës,
në të cilën flitet për shpresën në epokën moderne. Benedikti XVI sintetizoi rrugën
që ka bërë progresi njerëzor që nga shekulli XVII, duke krijuar gjithnjë më shumë
mendësinë sipas së cilës ky progres është vepër e shkencës dhe e teknikës, ndërsa
feja ka të bëjë vetëm me shëlbimin e shpirtit. Dy ide-forcat e mëdha të kohëve moderne,
arsyeja e liria, u shkëputën nga Hyji, për t’u bërë autonome e për të ndërtuar mbretërinë
e njeriut, duke ia kundërvënë mbretërisë së Hyjit. U përhap kështu koncepti materialist,
nga i cili lind shpresa se duke ndryshuar strukturat ekonomike e politike, mund të
ndërtohet, më në fund, një shoqëri e drejtë, në të cilën mbretëron paqja, lira, barazia.
Ky proces – nënvizoi në vijim Papa – që nuk është pa vlera e pa arsye historike, përmban
një gabim themelor: “Njeriu nuk është vetëm prodhim i kushteve të caktuara ekonomike
ose shoqërore; progresi teknik nuk përkon me zhvillimin moral të njerëzve, madje
pa parime morale, shkenca, teknika e politika mund të përdoren, siç ka ngjarë e, për
fat të keq, po ngjet edhe sot, jo për të mirën, por për të keqen e njerëzve e të mbarë
njerëzimit”. Si i ftoi studentët të reflektojnë mbi këto tema aktuale dhe
uroi që Roma të jetë gjithnjë qytet i studimit dhe i bashkëpunimit kulturor, Papa
përshëndeti delegacionet studentore, ardhur nga qytete të ndryshme evropiane e amerikane,
ndërmjet të cilave, përfaqësuesit e universitarëve shqiptarë, që sot ishin në krye
të vendit. Ata mbartnin ikonën e Zojës ‘Selia e Dijes’ që arriti nga Shqipëria në
Romë më 9 dhjetor, për të vizituar pastaj disa famulli romake. Në përfundim të
takimit me Benediktin XVI, studentët shqiptarë ia dorëzuan Ikonën studentëve rumunë,
që do ta mbajnë deri më 1 mars 2008, kur Salla e Palit VI në Vatikan do të lidhet
me Bukureshtin me rastin e Ditës VI evropiane të universitarëve. Për rrugën që ikona
e Zojës “Seli e Dijes” ka përshkuar në Shqipëri të dëgjojmë don Dominik Qerimin, drejtor
i Qendrës saleziane “Don Bosku” në Tiranë dhe përgjegjës i baritorisë universitare