Nënshkruhet në Lisbonë Traktati i reformës së BE-së. Intervistë me Pëtering
(13.12.2007 RV)Në Lisbonë të Portugalisë
u nënshkrua sot Traktati i reformës së Bashkimit Evropian, i miratuar në tetor. Normat
e reja që do të qeverisin Evropën u firmosën në Manastirin historik të Jeronimos,
në breg të lumit Tago. Traktati do të hyjë në fuqi më 1 janar 2009, pas ratifikimit
nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian dhe do të njihet si Traktati i Lisbonës. Për rëndësinë
e këtij dokumenti, flet në mikrofonin tonë presidenti i Europarlamentit, Hans Gert
Pëtering: Traktati i reformës është shumë i rëndësishëm, sepse sjell më shumë
demokraci, i jep një rol më të madh parlamentit dhe parashikon marrjen e vendimeve
me shumicë votash në Këshill. Ka një nen, që është neni 51, i cili flet për Kishat
dhe bashkësitë fetare. Parashikohet që Kishat të kenë një dialog të veçantë me institucionet
evropiane si edhe që të mbrohen në procesin e integrimit evropian. Kjo është shumë
e rëndësishme për fenë e krishterë, por natyrisht edhe për fetë e tjera. Një
shembull: problemi i Kosovës. Mendoni se Evropa është e bashkuar përsa i përket statusit
të saj? Besoj se po lëvizim në drejtimin e duhur dhe shpresoj se në fund të
fundit do të gjejmë një zgjidhje për Kosovën. Ambicja për një Bashkim Evropian unitar
ndaj çështjes së rëndësishme të Kosovës është edhe tani shumë e fortë. Dje
në Strasburg krerët e tre institucioneve evropiane shpallën Kartën e të drejtave të
Bashkimit Evropian. Ju jeni katolik. Sipas jush, vlerat e krishtera janë paraqitur
mirë në Kartë? Jam plotësisht i bindur se vlerat e krishtera janë pasqyruar
në Kartë, sepse aty përmendet dinjiteti i njeriut, parimi i solidaritetit dhe i ndihmës
aty ku ka nevojë, dinjiteti i të moshuarve, i fëmijëve. Pra, gjej shumë vlera të krishtera
në Kartë.