2007-12-13 17:33:55

Benedikti XVI në audiencën me 7 ambasadorë të rinj në Vatikan: “Të mposhtet dhuna përmes edukimit të të rinjve me frymën e paqes”.


(13.12.2007 RV)RealAudioMP3 Edukimi me frymën e paqes, dialogu ndërfetar, lufta kundër Sidës, zhvillimi i qëndrueshëm ishin disa nga temat që preku Benedikti XVI në audiencën me shtatë ambasadorë të rinj, të cilët i priti sot paradite në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Bëhet fjalë për ambasadorin e Tailandës, të Seishelit, Namibisë, Gambies, Surinames, Singaporit e Kuvaitit.
Në fillim Papa u drejtoi diplomatëve një fjalim të përbashkët, gjatë të cilit theksoi se dialogu duhet të fitojë mbi dhunën e dëshira për paqe, mbi individualizmin, duke mënjanuar kështu tensionet e mllefet, që bëhen pengesë për pajtimin e shoqërive. Më pas Ati i Shenjtë u drejtoi qeveritarëve të kombeve thirrjen të bëjnë ç’është e mundur për t’u rikthyer shpresën popujve që udhëheqin.
Puissent-elles prendre en compte leurs aspirations…
I nxiti kështu t’i kenë mirë parasysh aspiratat më të thella të popujve të tyre e t’i qeverisin në mënyrë që të mund t’i gëzojnë pasuritë natyrore dhe ekonomike të vendeve të tyre sipas parimeve të drejtësisë e të barazisë. Papa u ndalua posaçërisht tek edukimi i gjithanshëm i breznive të reja, sfidë së cilës Benedikti XVI i kushtoi një pjesë të mirë të fjalimit:
En effet, il ne suffit pas d’une formation technique…
Sot – theksoi Ati i Shenjtë – formimi teknik e shkencor nuk është i mjaftueshëm për t’i bërë burrat e gratë njerëz që i njohin përgjegjësitë e tyre në familje e në fusha të ndryshme të shoqërisë. E kjo tregon qartë se edukimi duhet të ketë në themel vlerat njerëzore e morale, që u krijojnë të rinjve mundësitë të fitojnë besim në vetvete, të shpresojnë në të ardhmen, të kujdesen për vëllezërit e të kontribuojnë për zhvillimin e kombit
C’est pourquoi je souhaite que, dans chaques pays…
Prej këndej, urimi i Atit të Shenjtë që në vendet nga vijnë ambasadorët e rinj, edukimi i rinisë të shikohet si detyrë e dorës së parë e të mbështetet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare që impenjohen në luftën kundër analfabetizmit. Është impenjim vërtetë i rëndësishëm të luftosh kundër dëshpërimit që mund të zërë vend në zemrat e të rinjve, për t’i nxitur pastaj në akte dhune individuale e kolektive.
Benedikti XVI i siguroi diplomatët e rinj se Kisha katolike, falë institucioneve të shumta edukative, do të impenjohet gjithnjë, pa i kursyer forcat, në veprimtarinë për formimin e gjithanshëm të të rinjve.
Më pas Ati i Shenjtë preku problemet e veçanta të vendeve që përfaqësojnë ambasadorët.
Në fjalimin drejtuar ambasadorit të Kuvaitit, Suhail Khalil Shuhaiber, Papa foli për marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, duke ritheksuar vlerën e dialogut ndërfetar e ndërkulturor për sigurimin dhe mbrojtjen e paqes.
Për dialog Benedikti XVI foli edhe me ambasadoren e Gambies, Elizabet Ia Eli Harding, duke e përgëzuar për marrëdhëniet paqësore ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme në vendin afrikan.
Shkallëzimi tragjik i terrorizmit ndërkombëtar ishte në qendër të fjalimit papnor drejtuar ambasadorit të Singaporit, Berri Desker. Papa dënoi posaçërisht përdorimin e fesë për qëllime politike.Në fjalimin drejtuar ambasadorit të Tailandës, Çaijong Satjipanon, Benedikti XVI theksoi kryesisht kujdesin për njerëzit e ligësht, ndarjen e barabartë të pasurive të vendit dhe respektin për dinjitetin e njeriut, posaçërisht të pakicave.







All the contents on this site are copyrighted ©.