(12.12.2007 RV) Gojëdhëna françeskane
e Shpellës së parë të Betlehemit Gjovani Velita, pronar i Greçios (një fshat
në veri të Lacios, pranë Asizit) ishte shumë i pasur e tepër zemërbardhë. Kur shkuan
e i lypën një copë pyll, ku Shën Françesku dëshironte të kalonte verën, dhuroi gjithë
kodrinën. Po afrohej vjeshta... Shenjti dërgoi e thirri bamirësin e vet. Donte
t’i fliste... Burri i mirë u ngjit deri atje ku jetonte Shën Françesku. - Ju
duhet të më ndihmoni - i tha Shenjti, sapo e pa, duke e tërhequr në fund të shpellës,
ku jetonte dhe ku lutej. – Ju duhet të më ndihmoni për të realizuar idenë e shkëlqyer
që më ka ardhur ndër mend. Do të dëshiroja të ndërtoj skenën e lindjes së Krishtit...
Dhe i foli një copë herë të madhe, me pamjen e një fëmije që e di se e duan e se nuk
ia kundërshtojnë dëshirat. Gjovani ishte aq i prekur, sa mend qante nga emocioni.
Dhe premtoi. Deri në Kërshëndella kishte akoma kohë. E ai do të përgatiste gjithçka,
gjithçka... Dhe Krishtlindja erdhi... Akoma s’kishte trokitur mesnata, kur
një turmë e madhe njerëzish qe grumbulluar mbi kodrën e Greçios. Në hyrje të shpelles,
fretërit luteshin në gjunjë, me qirinj të ndezur ndër duar. Në mes tyre ishte Gjovani
Velita, me sytë plot me lot nga emocioni. Ndjehej disi i shqetësuar. Kishte rregulluar
gjithçka sipas porosisë së Shën Françeskut. Kishte vendosur në shpellë një ka, një
gomar, të gjallë, si në shpellën e Betlehemit, atë natë të paharrueshme. Po grazhdi,
me kashtën e përgatitur për të pritur Foshnjën Hyjnore, ishte bosh. -Ndoshta -
mendonte Gjovani, i shqetësuar - ndoshta Shenjtit do t’i prishet qejfi nga kjo skenë,
në të cilën mungon gjëja kryesore… Një meshtar nisi të kremtonte Meshën dhe Shën
Françesku - i përvutjë si gjithmonë, i shërbente. Kur meshtari vendosi në grazhd bukën
dhe verën, mbi kashtë u pa një foshnje e zbehtë, që dukej sikur flinte, zhytur në
gjumë të thellë. Meshtari u tërhoq, duke lëshuar një britmë habie. Sh’Françesku përkundrazi,
u afrua... Duke u dridhur nga ëmbëlsia, mori ndër krahë plot dashuri, krijesën
e përgjumur. Posa u zgjua, një ngjyrë trëndafili ia gjallëroi gjymtyrët e brishta.
I buzëqeshi Shenjtit, ia përkëdheli fytyrën kockë e lëkurë, zhgunin e vjetër... Ia
kaloi gishtërinjtë e vegjël, të njomë si petalet e luleve, nëpër mjekër. Pastaj
Shenjti u duk në hyrje të shpellës. Ngriti ndër krahë foshnjen, me të vërtetë të gjallë,
përpara turmës së mahnitur. Shkëlqente nga një gëzim i thellë. I foli Jezusit gjatë,
me një dashuri të pakufishme. Kështu zgjoi dashurinë për Jezusin edhe ndër zemrat
e njerëzve, në të cilat kësaj dashurie i merrej fryma prej veseve dhe pasioneve të
trishtueshme. Në natën e bekuar pishtarët flakëronin nga era. Shkëndijat e tyre
të zjarrta, ngjiteshin deri në qiell. E shkëmbijtë nga larg përcillnin jehonën
e këngëve të ëmbla, si në Betlehem: “Lavdi i qoftë Zotit në qiell e paqe mbi tokë
njerëzve vullnetmirë!” Hosana... Hosana...!Kështu, sipas gojëdhënës, Shën
Françesku ndërtoi Shpellën e parë të Betlehemit...