2007-12-11 18:03:37

Salezianët në Kosovë: populli kërkon pavarësinë


(11.12.2007 RV)Rezoluta 1244, që parashikon krijimin e një administrate ndërkombëtare në Kosovë, e cila ka gjetur shprehjen e vet në formimin e UNMIK-ut, thyhet nga vetë serbët. Beogradi ka hapur një zyrë të vetën në Mitrovicë, pikërisht në pjesën veriore të banuar nga shumica serbe. Menjëherë kanë protestuar si presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ashtu edhe shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Për këtë akt të djeshëm të Serbisë priten direktiva nga Nju Jorku.
RealAudioMP3 Pikërisht për gjendjen e krijuar në Kosovë, në këto momente, flet për ne drejtori i Veprës saleziane në Prishtinë, don Mateo Di Fiore. Ta dëgjojmë:
Perspektiva e popullit kosovar është pa dyshim pavarësia. Sigurisht që situata në këtë periudhë, por tashmë prej vitesh, është pak e nderë, sidomos sepse populli kosovar nuk e njeh të ardhmen e vet. Situata ndikon psikologjikisht në të, me efekt pasigurinë, frikën, shqetësimin, por edhe me pasoja ekonomiko-shoqërore. Prandaj pritet me padurim deklarata e pavarësisë, me shpresën se do të hapet një faqe e re.
E pas kësaj mund të përmirësohet jeta e njerëzve, sipas jush?
Sigurisht që nuk mund të vazhdojë kështu. Sot kemi një varfëri të madhe ekonomike: Kosova është vendi më i varfër i Evropës. 15% e popullsisë jeton në varfëri të skajshme. Papunësia është e jashtëzakonshme, prandaj njerëzit kërkojnë ndryshime me perspektivë përmirësimin e situatës.
Sa fiton sot një kosovar?
Si punonjësit e shtetit, ashtu edhe privatët, fitojnë rreth 150-200 euro në muaj. Kombet e Bashkuara janë fortësisht të pranishme, por pak efikase. Nga ana tjetër, unë mendoj se zgjidhja duhet të vijë nga brenda popullit kosovar. Me pavarësinë, mund të fillojë një fazë e re politike. Kombet e Bashkuara dhe Evropa kanë për detyrë ta shoqërojnë vendin drejt rregullit dhe autonomisë ekonomike, shoqërore e politike.

Pasi presidenti Sejdiu i dha detyrën e kryeministrit të qeverisë së re të Kosovës, fitimtarit të zgjedhjeve të 17 nëntorit, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ky i fundit ka filluar sot zyrtarisht bisedimet për formimin e kabinetit qeveritar. Aleanca e mundshme është ndërmjet partisë së Thaçit, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partisë së afaristit Bexhet Pacolli, AKR.







All the contents on this site are copyrighted ©.