2007-12-11 19:18:13

Mesazhi i Papës për Paqen 2008: “Mbrojtja e ambientit, çarmatimi dhe siguria të jenë në shërbim të paqes e jo në dëm të saj”.


(11.12.2007 RV)RealAudioMP3 “Familja njerëzore, bashkësi e paqes”- kjo është tema e Mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2008, i cili u paraqit sot paradite në Sallën vatikanase të Shtypit.
Problemet konkrete, të ngritura në Mesazhin e Benediktit XVI, lidhur me temat e mbrojtjes së ambientit, të çarmatimit, të sigurisë e të rolit të institucioneve ndërkombëtare, ishin në qendër të pyetjeve që i bënë gazetarët dy referuesve të pranishëm në Sallë: kardinalit Renato Rafaele Martino dhe ipeshkvit Gjampaolo Krepaldi, përkatësisht kryetar dhe sekretar në Këshillin Papnor për Drejtësi e Paqe.
Gara e re e çarmatimit pas 11 shtatorit dhe rifillimi i strategjisë së frikësimit bërthamor, të denoncuara nga Papa në Mesazhin e tij për paqen 2008, ngjallën menjëherë interesin e shumë korrespondentëve të gazetave më të rëndësishme të globit, të pranishëm në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Pyetjes së gazetarëve, që donin të dinin në se pas fjalëve të Benediktit XVI për çarmatimin, duhen parë ngjarje konkrete, për shembull, paditë kundër Iranit për çështjen bërthamore, kardinali Martino iu përgjigj se është e natyrshme që referimet të lidhen me çështjet aktuale që shtrohen për zgjidhje. Në mënyrë të veçantë, duke marrë shtytje nga të dhënat e kohëve të fundit, që tregojnë se në arsenalet iraniane sot, ashtu si në ato irakiane dje, nuk ka armë të shkatërrimit në masë, Kryetari i dikasterit të Vatikanit kujtoi një pohim të tij të kohëve të fundit. Pohimi ka të bëjë me alarmet lidhur me këtë rrezik – që më pas doli se ishte i pathemeltë , ndonëse u bë shkak për ndërhyrje ushtarake- të cilat ai i pati vlerësuar prej kohe thjeshtë si ‘fjalë’, ndonëse ‘të rrezikshme’:
“Janë fjalë, por që i bëjnë keq atmosferës ndërkombëtare, sepse mund të ushqejnë shqetësim e prej këndej, të nxisin për forcimin e sigurisë me prodhimin dhe me eksperimentimin e armëve të reja. Kështu bëhet gjithnjë më e largët arritja e objektivit për çarmatimin e, në se kemi parasysh edhe bombat coptuese, kujtojmë se ka një Traktat për ndalimin e tyre, që duhet të nënshkruhet në Oslo deri në fund të vitit 2008. Por vërej se edhe përmbajtja e këtij teksti është zbutur mjaft”.
Shpenzimet ushtarake për armatimin në vitin 2006, kujtoi kardinali Martino, kanë arritur në shifrën 1204 miliard dollarë, me një rritje prej 37 % në dhjetvjeçarin 1996-2006, duke prekur kështu një kulm që ia kalon edhe periudhës së Luftës së ftohtë. Këtë riarmatim – u tha në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në vijim të paraqitjes së Mesazhit të Papës- shtetet e ndryshme e përligjin me rritjen e kërkesave të sigurisë përballë përhapjes së terrorizmit. Kërkesa sigurie që – nënvizoi imzot Krepaldi – përmes një paradoksi, në vend që ta lehtësojnë sigurimin e paqes, e dëmtojnë seriozisht. E më pas imzot Krepaldi iu përgjigj pyetjes në se koncepti i familjes njerëzore, i përdorur duke filluar nga Piu XII e tutje, hyri pastaj në kulturën juridike ndërkombëtare:
“Sot ka procese që shkojnë në drejtimin e vënies në dukje të ndryshimeve e të kundërvënieve. Është e vërtetë se në botë, për shembull, janë pakësuar konfliktet, por është e vërtetë edhe se është rritur prodhimi e tregtimi i armëve, mjete që ushqejnë konfliktet. Mendoj se Kisha kryen një shërbim, kur flet për bashkimin e familjes njerëzore, perspektivë me rëndësi jo vetëm në këndvështrimin teologjiko-shpirtëror, por edhe në atë kulturor e politik”.
Shumë pyetje u bënë edhe për problemin e mbrojtjes së ambientit, ngritur në Mesazhin e Benediktit XVI. Në mënyrë të posaçme u pyet në se theksimi i kësaj teme duhet parë si shenjë e interesimit edhe më të madh të Kishës në të ardhmen. Ja edhe përgjigja e kardinalit Martino:
Po, ne të Këshillit të Drejtësisë e Paqes i ndjekim me vëmendje të veçantë të gjitha takimet mbi ndryshimet klimaterike: ndër to është gjithnjë i pranishëm një delegacion i Selisë së Shenjtë, në të cilin bën pjesë përherë një anëtar i dikasterit tonë. Tema është në kalendarin e veprimtarive të Selisë së Shenjtë e prandaj, është e natyrshme që Papa ta shfrytëzonte këtë rast, për ta trajtuar në mënyrë më zyrtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.