2007-12-11 19:19:58

Fjalimi i imzot Tomazit me rastin e 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut.


(11.12.2007 RV)“Dinjiteti i njeriut është në qendër të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut”: këtë nënvizoi kryeipeshkvi Silvano Tomazi me rastin e vitit, të hapur dje, për kremtimin e 60-vjetorit të kësaj Karte themelore për bashkëjetesën paqësore të popujve, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, mbledhur në Paris më 10 dhjetor 1948.Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, ku ndodhet Selia e Komisariatit të lartë për të drejtat njerëzore, shtoi, ndërmjet tjerash edhe se “Deklarata Universale mbetet pika më e rëndësishme e referimit në diskutimin e kulturave mbi lirinë e njeriut e mbi dinjitetin e tij në botë. Ajo është baza ligjore për çdo diskutim që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Prandaj dinjiteti i njeriut lidhet ngushtë jo vetëm me demokracinë e sovranitetin, por shkon edhe më përtej. U kujton të gjitha subjekteve, qeveritare e jo qeveritare, feve e bashkësive të tjera, shteteve e jo shteteve, se duhet të punojnë për lirinë, barazinë dhe drejtësinë shoqërore të të gjithë njerëzve, duke respektuar mozaikun kulturor e fetar të botës”.

U përurua lidhja e parë hekurudhore ndërmjet dy Koreve, pas 50 vjetësh. Impenjimet e Kishës për pajtimin.
Hapa të vegjël në procesin e pajtimit ndërmjet të Koreve. Për herë të parë që nga fundi i luftës së 1950-1953-it, një karvan humanitar, i nisur nga qyteti korean i Munsanit, kapërceu sot paradite kufirin, për të arritur në stacionin Panmun, në Veri, pasi kishte përshkuar 16 kilometra rrugë. Në fillim kjo lidhje do të shërbejë vetëm për transportin e mallrave në dobi të një ndërmarrjeje industriale në të cilën punojnë 13 mijë verikoreanë.
Kujtojmë se këto ditë Benedikti XVI, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë koreanë, në vizitë ‘ad Limina’, inkurajoi të gjitha nismat për pajtimin ndërmjet Koresë së Jugut me atë të Veriut, pajtim që Kisha e populli korean e presin me padurim prej shumë kohe, sepse është krejtësisht e papranueshme që i njëjti popull, të jetojë i ndarë më dysh. Historia ka vërtetuar gjithnjë se heret e a vonë, ai do të bashkohet!







All the contents on this site are copyrighted ©.