Bashkimi Evropian gati projektrezolutën për misionin në Kosovë
(11.12.2007 RV)Pavarësia e Kosovës do të jetë pa dyshim argumenti kryesor i
mbledhjes së krerëve evropianë, që do të mbahet të premten në Bruksel, takimi i fundit
i presidencës portugeze të Bashkimit Evropian, para se t’ia lërë vendin Sllovenisë. Ekziston
tashmë një projekt-rezolutë që do të nënshkruhet të premten, ku vihet në dukje se
gjendja në Kosovë nuk mund të lihet kështu siç është; se treshja BE-SHBA-Rusi i ka
marrë në shqyrtim të gjitha hipotezat e mundshme për të arritur në një kompromis,
por ky nuk ka qenë i mundur; se Bashkimi Evropian do të japë gatishmërinë e vet për
të dërguar në Kosovë një mision ushtarak dhe civil që duhet ta shoqërojë vendin drejt
pavarësisë. Krerët evropianë theksojnë gjithashtu, se rasti i Kosovës nuk përbën precedent
dhe nuk mund të shfrytëzohet nga popullsi apo vende të tjera. Në këtë mënyrë,
Bashkimi Evropian mundohet të shmangë deklaratën e njëanshme të pavarësisë së Kosovës
dhe përpiqet të koordinojë e të administrojë një pavarësi de facto. Nëse Kosova do
të shpallte pavarësinë në mënyrë të njëanshme, Rusia do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit
të OKB-së ta anullojë atë. Të paktën, kjo është deklarata e sotme e përfaqësuesit
rus në Treshen e negociatorëve për statusin, Aleksandar Bocan-Harçenko, sipas të cilit
shpallja e pavarësisë bie ndesh me rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.