2007-12-10 19:01:57

Udhës së Betlehemit.


(10.12.2007 RV)Të dashur miq që na ndiqni: në sa ecim udhës drejt Betlehemit, për të takuar Krishtin, që do të lindë përsëri në grazhdin e përvujtë, si dymijë vjet më parë, nuk mund të mos bëjmë pyetjen “Si filloi historia e Shpellës së Betlehemit?”.
Të parët që e përshkruajnë Lindjen e Krishtit janë ungjilltarët Luka e Mateu. Në pjesët e Ungjijve të tyre, që i kushtohen ngjarjes së madhe, gjejmë përfytyrimin i cili, duke u nisur nga mesjeta, do të quhej me emrin latin praesepium, ose grazhd. Luka flet për lindjen e Jezusit në një mjedis të përvujtë, në një grazhd “sepse për Të e prindërit e Tij nuk kishte vend në bujtinë”; për lajmërimin e barinjve; për Mbretërit Dijetarë të cilët, duke ndjekur Yllin që u tregonte rrugën, erdhën nga Lindja, për të adhuruar Foshnjën Hyjnore; për Krishtin Fëmijë i cili paralajmërohet mrekullisht nga qielli si Mbret.
Kjo ngjarje, kaq familjare e njerëzore, nga njëra anë gjallëronte fantazinë e të krishterëve të parë, duke e bërë më pak të errët misterin e Zotit që mishërohet, nga ana tjetër i nxiste të dallonin aspektet e mbinatyrshme, siç ishin natyra hyjnore e Foshnjës dhe virgjëria e Marisë. Kështu shpjegohen afresket që u pikturuan në muret e varrezës të Shën Anjezes dhe ndër katakombet e Pjetrit, të Marçelinit e të Domitilës në Romë, që paraqesin Lindjen e Krishtit dhe adhurimin e Mbretërve. Madje ungjilli apokrif armen përmend edhe emrat e tre Dijetarëve: Gaspër, Melkior e Baldasar. Bie në sy sidomos karakteri alegorik i personazheve që pikturohen në Shpellë rreth Foshnjës Hyjnore. Kau e gomari, sipas Origjenit, që shpjegoi profecitë e Abakukut e të Izaisë profet, janë simbol i popullit hebre dhe i paganëve; Mbretërit Dijetarë, tre sipas shpjegimit të Shën Leonit të Madh, krijojnë mundësinë për dy interpretime: tek ata mund të shikojmë tri kohët e jetës së njeriut: rininë, pjekurinë dhe pleqërinë si dhe tri racat kryesore, në të cilat ndahet njerëzimi: racën semite, japetike e kamite, sipas rrëfimit biblik. Engjëjt janë simbol i krijesave të larta; barinjtë njerëz që duhen shëlbuar, ashtu si mbarë njerëzimi; Maria e Jozefi, të cilët duke nisur nga shekulli XIII paraqiten duke adhuruar Foshnjën Hyjnore, nënvizojnë madhështinë mbretërore të Krishtit.
Edhe dhuratat e Mbretërve lenë të kuptohet natyra e dyfishtë e Jezusit dhe e madhështisë së tij mbretërore: kêmi tregon se Foshnja është hyjni; mirra, se është edhe njeri; ari, se është mbret. Por për historinë e Shpellës së Betlehemit, traditën për ta përsëritur çdo vit e pasqyrimin e saj në arte, do te vijojmë të flasim në emisionet e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.