Romani i parë i letërsisë shqipe i kushohet Marcies, virgjër e martire.
(10.12.2007 RV)94 vjet me parë botohej romani "Shkodra e rrethueme", vepër
e prozatorit të njohur, Dom Ndoc Nikës, që pas shumë pohimesh e mohimesh, konsiderohet
gabimisht si romani i parë shqiptar. Romani pa dritën më 10 dhjetor 1913. Në kohën
kur Dom Ndoci, prozatori që i la letrave shqipe një numër të madh prozash të të gjitha
natyrave, qysh nga librat shkollorë, tek historitë e tek veprat e mirëfillta artistike,
të parat e prozës së mesme e të gjatë në shqipet, fyhej në mënyrë të pabesushme, burgosej,
mohohej e harrohej, Historia komuniste e Letërsisë Shqipe njihte si romancier të parë
të shqipes, Foqion Postolin me romanin e tij "Për mbrojtjen e Atdheut", botuar më
1909, ndjekur nga botimi i romanit tjetër, shumë të njohur nga të gjithë lexuesit
shqiptarë:"Lulja e Kujtimit", botuar më 1921. Emri i Dom Ndocit, në se kujtohej
ndokund, kujtohej vetëm për t'u denigruar. E kështu mbetet edhe sot në tekstin e lartpërmendur,
në përdorim. Sidoqoftë, tani pranohet se ai është romacieri i parë me romanin "Shkodra
e rrethueme". Në të vërtetë ai është romancieri i parë, por kjo vepër nuk është e
para e prozës së gjatë artistike shqipe. Romanin e parë Dom Ndoci e botoi që më 1889.
Titullohet "Marcja: martirja e parë e krishtenimit në fillés të vet". Eshtë historia
e martirizimit të Marcies, e cila kallet e gjallë në dhe, sepse nuk pranonon të mohojë
Krishtin. Vepra është një rrëfim ndërmjet hagjioagrafisë e romanit, me gjatësinë e
një novele, që lexohet me andje edhe sot, në se mund të gjindet ende në skajin e ndonjë
biblioteke tejet të vjetër shkodrane. Ka ardhur, pra, koha të pranojmë se fillon me
një martire të krishterimit historia e romanit shqiptar.
Përkujtojmë sot
edhe një ngjarje tjetër të madhe për kulturën shqiptare: përvjetorin e themelimit
të Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Më 10 dhjetor, me nismën e shoqërisë kulturore
"Vllaznia” dhe të “Komisisë letrare”, nën kujdesin e laikut katolik Luigj Gurakuqit,
u themelua në Tiranë Biblioteka Kombëtare. Fondi i parë përbëhej nga 6000 libra, dhuruar
vullnetarisht nga shoqëritë e lartpërmendura. I shtuar nga viti në vit, sot ky fond
arrin në më se 1 milion tituj, organizuar në një numër të madh sektorësh.