2007-12-10 18:41:03

Papa në Engjëllin e Tënzot na fton t’i hapim zemrat e ta pranojmë Birin e Hyjit që vjen mes nesh për të na e bërë të qartë gjyqin hyjnor”.


(10.12.2007 RV)RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u drejtoi të gjithë besimtarëve katolikë ftesën të ecin në gjurmët e Birit të Zotit, duke ia dhuruar jetët e duke ia hapur zemrat Jezu Krishtit. Frytet e dashurisë – nënvizoi Papa – janë fryte të denja pendese e kthese në rrugën e Zotit, për të cilën flet Shën Gjon Pagëzuesi.
Ati qiellor, pra, na fton ta ndjekim Krishtin, duke ia bërë jetët tona – ashtu si Ai, dhuratë dashurie. Me këto fjalë Benedikti XVI përsëriti dje, në të Dielën e dytë të Ardhjes, ftesën për pendesë. Pas solemnitetit të Zojës së Papërlyer, që liturgjia ia kushton Virgjërës Mari ‘Yll shprese për çdo njeri’, Papa i ftoi besimtarët ta drejtojnë vështrimin nga Shën Gjon Pagëzuesi. Misioni i tij – pohoi Ati i Shenjtë – ishte të përgatiste e të sheshonte rrugën përpara Mesisë, duke e ftuar popullin e Izraelit të pendohej për mëkatet e veta e të hiqte dorë nga mbrapshtitë e veta, sepse:
”Pikërisht sot vihet në lojë fati ynë i ardhshëm; me sjelljen tonë konkrete në këtë jetë, vendosim cili do të jetë fati ynë i amshuar. Në perëndim të ditëve tona mbi tokë, në çastin e vdekjes, do të vlerësohemi mbi bazën e ngjashmërisë a të mosngjashmërisë sonë me Foshnjën që presim të lindë në shpellën e varfër të Betlehemit, sepse Ai është kriteri e masa që i dha Hyji njerëzimit”.
E ndërsa vijojmë rrugën e Kohës së Ardhjes, duke u përgatitur shpirtërisht për të kremtuar lindjen e Krishtit – shtoi Benedikti XVI – në bashkësitë tona jehon fuqishëm thirrja e Shën Gjon Pagëzuesit i cili, përmes Ungjillit, vijon t’u flasë në rrjedhë shekujsh të gjitha breznive:
“Është ftesë e ngushtme për t’i hapur zemrat e për të pritur aty Birin e Hyjit, i cili vjen mes nesh që të na e bëjë të qartë gjyqin hyjnor”.
Shën Gjon Pagëzuesi – kujtoi Ati i Shenjtë – thoshte se përballë Zotit askush nuk mund të mburret për titujt e tij; para Hyjit titujt janë krejt pa vlerë; para syve të Tij kanë vlerë vetëm frytet e denja të pendesës. Fjalët e qarta e të ashpra të Shën Gjonit – shpjegoi Papa – janë thellësisht aktuale për kohët tona, kur shpesh herë Krishtlindja shikohet e kremtohet me një mendësi materialistike:
“Zëri i profetit të madh na kërkon t’ia përgatisim rrugën Zotit që vjen në shkretëtirat e sotme, shkretëtira të jashtme e të brendshme, në të cilat ndjehet fuqimisht etja për ujin e gjallë, që është Krishti. Virgjëra Mari – uroi Papa – na priftë në rrugën e kthimit të zemrës, që mendësitë tona të përkojnë plotësisht me Ungjillin”.
Në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi se më 13 dhjetor, pas Meshës së kryesuar nga kardinali Kamilo Ruini, do të takohet me studentët e universiteteve romake, të cilët i ftoi të marrin pjesë me shumicë, për t’u përgatitur për Krishtlindjen duke u lutur që mbarë bashkësia universitare të marrë nga zoti dhantinë e Shpirtit të dijes.Ndërsa në përshëndetjen drejtuar shtegëtarëve gjermanë Ati i Shenjtë saktësoi:
”Liturgjia e Ardhjes na fton vazhdimisht për pendesë. Prandaj meditimi, lutja personale e komunitare dhe rrëfimi duhet të jenë në qëndër të vëmendjes këto javë që na përgatisin për Krishtlindje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.