2007-12-10 19:16:43

Filloi fushata e Kombeve të Bashkuara për 60-vjetorin e Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut


(10.12.2007 RV)RealAudioMP3 Filloi sot fushata e Kombeve të Bashkuara për 60-vjetorin e Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut, e cila është hartuar më 10 dhjetor 1948. Të shumta janë iniciativat ndërkombëtare, që gjatë vitit 2008 do të kujtojnë 6 dhjetëvjeçarët e parë të një teksti, që përmban liritë themelore. Por hartimi i dokumentit nuk ka qenë i lehtë. Sado e çuditshme të duket sot, qenë të shumtë ata që iu kundërvunë njohjes së të drejtave universale. Në mikrofonin tonë, Francesko D’Agostino, president i Bashkimit të Juristëve katolikë italianë:
Deklarata u kundërshtua shumë, sidomos nga ana e kulturës laike-iluministe, e cila mbështeste tezën se nuk ekzistojnë të drejta universale, të vlefshme për të gjitha kulturat e popujt. Por, pas disa dhjetëvjeçarësh, mund të themi se historia përgënjeshtroi shkrimtarucët e historisë. Të drejtat themelore të njeriut janë bërë një ndër të paktat pika universale të referimit, që e mbajnë të bashkuar njerëzimin. Nëse deklarata e të drejtave të njeriut nuk do të ekzistonte, bota ndoshta do të ishte shumë më konfliktuale e më e dhunshme.
Koncepti i së drejtës së njeriut ndryshon me kohën, zhvillohet sëbashku me njeriun apo jo?
Shohim, se së paku për 15 herë, shën Toma thotë se e drejta natyrore është e ndryshueshme, pra zhvillohet me historinë. Sigurisht që sot ekzistojnë praktika shoqërore, të toleruara në të shkuarën, si skllavëria, që na duken qartësisht kundër të drejtave themelore të njeriut. Ndoshta nesër, praktika shoqërore që ne tolerojmë, do të konsiderohen kundër respektit për të drejtat e njeriut. Mendoj për shembull, për disa forma të manipulimit të ambientit.







All the contents on this site are copyrighted ©.