(09.12.2007 RV)Të dashur miq, në
emisionin X të ciklit që na shoqëron, në sa ecim udhës drejt Betlehemit, për
të takuar Krishtin, po shpjegojmë figurat dhe simbolet kryesore të solemnitetit, duke
i dhënë përgjigje disa pyetjeve, si: ç’është Krishtlindja; kush është Jezu Krishti,
që lind; ku ndodhet Betlehemi, ku mund ta takojmë sot Krishtin... Krishtlindja
është e kremtja e dhantisë që Hyji i dhuron të gjithë banorëve të Tokës, kështuqë
gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat e natës. Hyji na dhuron një
shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur:
Birin e tij të dashur ! Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Kjo
dhanti është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që është në qiell. Betlehemi,
drejt të cilit po shtegtojmë,ndodhet ndër malësitë e Judesë; është
qyteti ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Është
edhe qyteti i etërve të Shën Jozefit. Ndryshon shumë nga Jeruzalemi, kryeqyteti krenar
që ndodhet 7 kilometra më në veri të vendit. Jezusi që lind është shpëtimtari.Fjala shpëtimtar apo shëlbues, përdorej shumë në atë kohë të largët. E do
të përdorej edhe më vonë, deri në ditët tona e në ditët që do të vijnë... Njerëzit
kërkonin, kërkojnë, do të kërkojnë një shpëtimtar... Edhe perandori romak asokohe
quhej “Shpëtimtari”! Po Jezusi nuk është Perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor! Ai
është Mesia, është Zoti! E grazhdi? Të gjithë e dinë se
ç’do me thënë grazhd: është vendi ku vihet ushqimi për bagëtitë. Po grazhdi për të
cilin po flasim është simbolik, është shtrati i parë i Jezusit, që lindi i varfër
ndërmjet të varfërve. Jezusi i posalindur do ta pushonte shtatin në një grazhd,
sepse për të vend tjetër nuk u gjet. Barinjve u jepet pikërisht ky shenj, që të mund
ta njohin Zotin: “Do të gjeni një fëmijë që prehet në një grazhd”. E ata shkuan dhe
e gjetën. Po sot, ku ndodhet, që të mundemi ta takojmë edhe ne, që të mundemi ta
adhurojmë ? -Miq, të shpejtojmë hapin udhës së Betlehemit! Dhantia e Hyjit
po vjen përsëri në një grazhd: afrohuni e do ta takoni rishtas Birin e Hyjit, lindur
në varfëri.