2007-12-08 18:46:23

Udhës së Betlehemit


(08.12.2007 RV)RealAudioMP3 Të dashur miq, në vijim të ciklit të emisioneve ‘Udhës së Betlehemit’ po shfletojmë sot Ungjillin sipas Lukës (Lk. 2,1-21), duke u ndalur tek rrëfimi i tij mbi lindjen e Jezusit:
1 Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. 2 Ky qe regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. 3 Të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. 4 Kështu edhe Jozefi, mbasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhej Betlehem, 5 për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.
6 Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. 7 Ajo lindi djalin e vet- të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.
Barinjtë dhe engjëjt
8 Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. 9 Engjelli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi.
10 Engjëlli u tha:
“Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! 11 Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! 12 Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd”.
13 Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste:
14 “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell
e paqe mbi tokë njerëzve,
që i ka për zemër!”.
15 Posa engjëjt u larguan prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri–tjetrit:
“Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi - ngjarjen që na e kumtoi Zoti”
16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. 17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. 19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.
20 Barinjtë, mandej, u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha ëngjëlli.
21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.
 Nga Bibla: përkthim i mons. Simon Filipajt







All the contents on this site are copyrighted ©.