2007-12-08 18:45:19

Sot u përkujtua Shën Huan Diego.


(09.12.2007 RV)Ndërsa në Lurdë u hapen kremtimet e 150- vjetorit të dukjeve të Virgjërës Mari, përkujtimi i Shën Huan Diegos na çon simbolikisht në shenjtëroren më të madhe mariane të botës, që lartohet mbi kodrën e Tepeyakut, mes malesh e vullkanesh, me lartësi që i kalojnë të pesë mijë metrat. Është Shenjtërorja e Zojës së Guadalupes, e cila pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë pikë e sigurtë referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen:
"Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!
Sot Kisha përkujton pikërisht vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari iu duk papritmas fshtarit të varfër të fisit Çiçimek, Huan Diegos, një nga vendasit e parë të kthyer në kristianizëm, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e tij e la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë. Iu duk pesë herë me radhë, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531.Huan Diego u shpall i Lum në vitin 1990. U kanonizua nga Papa Gjon Pali II më 31 korrik 2002, gjatë vizitës së tij të pestë baritore në Meksikë. Shenjti i parë meksikan, që Kisha e kujton më 9 dhjetor, njihet si ambasador i Zojës së Guadalupes në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.