2007-12-08 18:28:13

Atë Federiko Lombardi: ‘Të krishterët e myslimanët janë vënë për udhë”. (Editorial i ‘Octava dies’, 8 dhjetor 2007)


(08.12.2007 RV)Papa- shkruan Atë Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radios sonë - iu përgjigj, në mesin e nëntorit, Letrës që 138 krerë myslimanë i patën dërguar atij dhe autoriteteve të tjera fetare kristiane në tetor, në sa përfundonte Ramazani. Ishte një letër e rëndësishme, që vinte në dukje pjesët kryesore të Kuranit e të Biblës së krishterë, që flasin për dashurinë ndaj Hyjit e ndaj të afërmit, me qëllim që të nxitej impenjimi i përbashkët për paqen në mbarë botën, mbi bazën e mirëkuptimit më të thellë reciprok. Fryma pozitive e Letrës ndjehet që nga titulli: “Një fjalë e përbashkët ndërmjet nesh e jush”, citim i një vargu të Kuranit drejtuar ‘njerëzve të Librit’ hebrenjve e të krishterëve.
Përgjigja e Papës kujton se nuk është e nevojshme të nënvleftësohen ndryshimet, por edhe ajo vë në dukje posaçërisht atë që bashkon; i inkurajon të gjithë për respekt dhe njohje reciproke, për njohje reale të dinjitetit të çdo njeriu; shpreh besimin e sinqertë në udhën e përbashkët të mikpritjes, premtuese për promovimin e drejtësisë e të paqes. Por Papa nuk mjaftohet vetëm me fjalë. E fton Princin mysliman Ghazi të Jordanisë të vijë në Romë me një delegacion të promotorëve të Letrës së përbashkët dhe propozon një takim reflektimi e studimi me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe disa institucione të tjera akademike katolike, të specializuara në këtë fushë. E kjo do të thotë se Papa beson në dialogun – në një dialog të sinqertë e të ndershëm, natyrisht. Edhe ndërmjet myslimanëve ka shumë bashkëbisedues të urtë e me autoritet, të vetëdijshëm për sfidat e njerëzimit të sotëm; dhe është pozitiv fakti se ndërmjet tyre po rritet aftësia për të shprehur vullnetin e përbashkët për paqen. Drejtimi është i saktë. Duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të vijuar udhën e nisur.







All the contents on this site are copyrighted ©.