2007-12-07 18:12:50

Rajs: shtyrja e vendimit për Kosovën nuk e ndihmon stabilitetin e rajonit


(07.12.2007 RV)Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun takohet sot në Nju Jork me Treshen e negociatorëve për statusin e Kosovës, në vend që të bisedojë me ta më 10 dhjetor, në përfundim të mandatit. I pyetur për këtë nga agjensia italiane e lajmeve, ANSA, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi u shpreh se “stabiliteti i Ballkanit varet shumë nga arritja e statusit të pavarësisë për Kosovën, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Sipas Topit, Kosovës s’i mbetet tjetër veçse të deklarojë pavarësinë e njëanshme, por me pëlqimin e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve.
Nga ana tjetër, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs deklaroi sot se është e kotë të shtyhet vendimi mbi statusin e Kosovës. Kjo nuk do ta ndihmonte stabilitetin në rajon. Rajs iu përgjigj kështu ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili kërkoi edhe një herë që të shtyhen më tej bisedimet serbo-kosovare. Gjithsesi, sekretarja e shtetit nënvizoi se “mbetet shumë për të bërë para se të arrihet në vendimin përfundimtar”, pasi duhet bërë çdo gjë gati për zbatimin e parimeve të planit të Ahtisarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.