2007-12-07 16:01:40

Atë Kantalamesa në predikimin e parë të Kohës së Ardhjes në Vatikan: Jezusi historik dhe vlera e virgjërisë për të rinjtë.


(07.12.2007 RV)RealAudioMP3 Jezusi i Nazaretit është një nga profetët? U nis nga kjo pyetje themelore, drejtuar zemrës së çdo të krishteri, predikimi i parë i Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës e të Kuries Romake, që u mbajt sot paradite në kapelën ‘Nëna e Shëlbuesit’ në Vatikan. Meditimin e mbajti Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore. Rregulltari kapuçin u ndalua posaçërisht tek vlera që ka për të rinjtë e sotëm ruajtja e virgjërisë.
Historia e shëlbimit – shpjegoi predikatari – përbëhet nga dy kohë, që pasojnë njëra-tjetrën: koha kur Hyji fliste nëpërmjet profetëve dhe koha kur Hyji flet përmes Birit të tij. Ndërmjet këtyre kohëve ka vazhdimësi, por edhe risi.
Në këtë kontekst, rregulltari kujtoi veprën ‘Një rabin flet me Jezusin’ shkruar nga rabini amerikan, Jakob Nojsner, të cilës Benedikti XVI i kushton një kapitull të rëndësishëm në librin e tij ‘Jezusi i Nazaretit’:
Prekës shkëmbimi i mendimeve të rabinit me mësuesin e tij të sinagogës, pas takimit me Jezusin. Mësuesi: “Ka lënë jashtë ndonjë gjë nga Torahu Jezusi yt?” Rabini Nojsner: “Asgjë, mjeshtër”. Mësuesi: “Atëherë, ka shtuar ndonjë gjë?”. Rabini Nojsner: “Po, vetveten”!
Të njëjtën përgjigje – shpjegoi Atë Kantalamesa, u jepte, në shekullin II, edhe Shën Ireneu atyre që e pyesnin ç’të re solli Krishti. “Solli gjithçka të re, duke sjellë vetveten”. Prej këndej, është krejt e pamundur ta shikosh Jezusin si një hebre të zakoshëm të kohës së vet, ashtu siç është e pamundur edhe ta shikosh si njeri të rëndomtë. E kjo, sepse Krishti e vërtetoi me shenja e mrekulli se kishte ardhur për të përmbushur profecitë, gjë që e bëri kryesisht me vdekjen e me ngjalljen e Tij si dhe me themelimin e bashkësisë së lindur prej Tij, që realizon universalitetin e shëlbimit.Në pjesën e dytë të predikimit, rregulltari theksoi se Koha e Ardhjes është kohë e pendesës dhe e rizgjimit shpirtëror”.







All the contents on this site are copyrighted ©.