2007-12-06 17:37:40

Pjetër Bogdani në 318 vjetorin e vdekjes.


(06.12.2007 RV)Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) është shkrimtari i fundit dhe më origjinali i letërsisë së hershme në Shqipëri, autor i Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve), vepra e parë e rëndësishme në prozë e shkruar drejtpërdrejt shqip.
Lindur në Gur të Hasit afër Prizrenit rreth vitit 1630, Bogdani u edukua me traditat e Kishës katolike, së cilës i kushtoi gjithë energjitë e veta.
Thuhet se shkollimin e parë Pjetri e mori nga françeskanët në Çiprovac të Bullgarisë veriperëndimore dhe pastaj ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos pranë Ankonës, si paraardhësit e tij Pjetër Budi e Frang Bardhi. Nga 1651 deri më 1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku mori titullin doktor në filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Kryedioqezës së Tivarit. Gjatë viteve të turbullta të luftës turko-austriake, 1664-1669, u fsheh në fshatrat Barbullush e Rjoll të Shkodrës. Shpella ku qe strehuar asokohe mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. Më 1677 zuri vendin e t’ ungjit, Andrea Bogdanit, si kryeipeshkëv i Shkupit dhe administrator i Mbretërisë së Serbisë. Me zellin fetar dhe zjarrin atdhetar në zemër ai mbeti në konflikt me autoritetet turke dhe, në atmosferën e luftës e të rrëmujës që mbretëronte, u detyrua të ikë në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në Venedik dhe Padovë, duke mbartur edhe dorëshkrimet me vete. Në Padovë u prit me përzemërsi nga kardinal Gregorio Barbarigo (1622-1697), të cilit i kishte shërbyer në Romë. Kardinali Barbarigo, kryeipeshkëv i Padovës, i ngarkuar për çështjet kishtare të Lindjes, interesohej shumë për Shqipërinë. Ai kishte ngritur në Padovë edhe një shtypshkronjë, Tipografia del Seminario, që shërbente për nevojat e gjuhëve lindore. Kështu Bogdani gjeti përkrahjen që i duhej për botimin e Cuneus prophetarum, në përgatitje e sipër.
Pasi i vuri punët në vijë për botimin e librit, ipeshkvi shqiptar u rikthye në Ballkan në mars 1686 dhe i kaloi vitet e tjera duke mbështetur qëndresën kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, sidomos në Kosovë. Ai organizoi bashkimin e një force prej 6000 ushtarësh shqiptarë me ushtrinë austriake që kishte mbërritur në Prishtinë dhe e shoqëroi në marrjen e Prizrenit. Por atje, ai dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u ndeshën me një kundërshtar tjetër po aq të tmerrshëm, me sëmundjen e murtajës. Bogdani u kthye në Prishtinë, ku sëmundja e mposhti përfundimisht më 6 dhjetor 1689. I nipi, Gjergji, bënte të ditur se eshtrat e të ungjit ishin zhvarrosur më pas nga ushtarët turq e tartarë dhe u ishin hedhur qenve në mes të sheshit në Prishtinë. Kështu përfundoi një nga figurat më të mëdha të kulturës së hershme shqiptare, shkrimtari që njihet si babai i prozës shqiptare.
Cuneus prophetarum, traktati i tij i gjerë mbi teologjinë, u botua shqip e italisht pikërisht në Padovë më 1685, me ndihmën e kardinalit Barbarigo.
Titulli i plotë i variantit të botuar është:
"Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate, italice et epirotice contexta, et in duas partes diuisa a Petro Bogdano Macedone, Sacr. Congr. De Prop. Fide alvmno, Philosophiae & Sacrae Theologiae Doctore, olim Episcopo Scodrensi & Administratore Antibarensi, nunc vero Archiepiscopo Scvporvm ac totivs regni Serviae Administratore"
(Çeta e profetëve të Krishtit, shëlbues i botës dhe i fjalës së tij të vërtetë, botuar në
gjuhët italiane e epirote dhe ndarë në dy pjesë nga Pjetër Bogdani i Maqedonisë, student i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fides, doktor në filozofi e teologji, ish-ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, tani kryeipeshkëv i Shkupit dhe Administrator i mbarë Mbretërisë së Serbisë).
Është e pamundur të flitet për këtë vepër madhore në pak minuta. Po shtojmë, prandaj, për ata që duan të dinë më shumë, se vepra është ribotuar dhe studiuar shumë herë.
Studimet më të plota për Bogdanin deri më sot janë kryer nga Sciambra dhe Rugova. Është studiuar edhe nga Weigand, Zamputi, Kamsi, Riza, Xholi, Marlekaj, Shuteriqi, Marquet, Kostallari, Plasari, Fortino dhe Osmani.







All the contents on this site are copyrighted ©.