2007-12-06 14:51:00

Papa Institutit Papnor Lindor: ‘Dija e Lindjes së krishterë i pasuron të gjithë’.


(06.12.2007 RV)RealAudioMP3 “Shfrytëzimi i trashëgimisë së dijes që vjen nga Lindja e krishterë, i pasuron të gjithë” – këtë theksoi Papa sot paradite, duke pritur, në Sallën Klementine në Vatikan, një delegacion të Institutit Papnor Lindor, me rastin e 90-vjetorit të themelimit. Shenjtëria e Tij nënvizoi posaçërisht vlerën ekumenike të Institutit i cili, nën drejtimin e Shoqërisë së Jezuitëve, i kushtohet studimit të aspekteve teologjike, liturgjike, juridike e kulturore, që kanë të bëjnë me pasurinë e dijes së Lindjes së krishterë.
Ati i Shenjtë kujtoi posaçërisht themeluesin e Institutit Papnor Lindor, paraardhësin e tij, Benediktin XV, një Papë – tha Benedikti XVI , me të cilin e lidhin shumë gjëra:
“Kohët e këtij Pape qenë kohë lufte, ndërsa ai punoi shumë për paqen! E për të siguruar paqen, bëri shumë thirrje, madje, në vitin 1917, kur u themelua instituti juaj – u tha Papa të pranishëmve – hartoi edhe një plan konkret për paqen, një plan të hollësishëm, që për fat të keq nuk pati rezultat”.
E për të siguruar paqen brënda Kishës, Benedikti XV – vijoi Papa – krijoi në pak muaj tre monumente me vlera të pallogaritshme: Kongregatën për Kishat Lindore, Institutin Papnor Lindor dhe Kodin e së Drejtës Kanonike. Prej tyre përfituan shumë Kishat lindore katolike të cilat, që asokohe, dërgojnë vazhdimisht studentë në Romë, ku marrin njohuri për Kishën Universale.
Papa vlerësoi lart edhe bibliotekën, tepër të pasur, të Institutit, themeluar nga Piu XI, që njihet në mbarë botën si një nga më të mirat për Lindjen, gjithnjë në shërbim të bashkëjetesës ndërmjet të të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.