2007-12-06 14:46:31

Benedikti XVI pret Presidentin e Shqipërisë: në qendër të bisedimeve, integrimi i Shqipërisë në Evropë dhe situata në Kosovë.


(06.12.2007 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topin. Presidenti shqiptar shoqërohej nga një delegacion i Parlamentit të Tiranës, nga bashkëshortja dhe dy vajzat. I pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Rrok Logu.
Bisedimet private ndërmjet Benediktit XVI dhe Presidentit Topi, zgjatën rreth 15 minuta. Papa e priti Presidentin e Shqipërisë në prag të bibliotekës papnore e më pas e ftoi të ulej përballë shkritores së tij, ku edhe u zhvilluan bisedimet private në gjuhën italiane.
Sipas një komunikate të Sallës së Shtypit të Vatikanit, gjatë takimit u fol kryesisht për integrimin e Shqipërisë në Evropë, përpjekjet e vendit për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe për shmangien e rrezikut të përdorimit të dhunës në Kosovë, në situatën e sotme, duke njohur kërkesat e ligjshme të palëve. U bisedua edhe për çështje të tjera të sferës së marrëdhënieve të Kishës me shtetin shqiptar.
Më pas Presidenti i paraqiti Papës bashkëshorten e dy të bijat, duke i shpjeguar se e madhja vijon studimet në universitet, ndërsa e vogla, në shkollë të mesme. Pas fotografive tradicionale për kujtim të vizitës, u shkëmbyen dhuratat. Benedikti XVI i dhuroi presidentit medalje të papnisë dhe i shpjegoi domethënien e stemës së tij, që nga guaskat, tek ariu i Korbinianos. Në shkëmbim, Presidenti i dhuroi Benediktit XVI një pjatë të punuar me filigran argjendi, ku paraqitej shtëpia presidenciale shqiptare.
Më pas Presidenti Topi u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, në praninë e Sekretarit për marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì. Sipas Komunikatës së Shtypit të Vatikanit, Presidenti i shprehu mirënjohjen Kishës katolike për kontributin që ka dhënë në ndihmë të popullit shqiptar, posaçërisht përmes veprimtarisë së institucioneve bamirëse dhe asistenciale. Zoti Topi shprehu edhe kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara këto ditë në fushën shëndetësore e fiskale, duke uruar që bashkëpunimi të vijojë edhe në fushën kulturore e shpirtërore.
Pas këtij takimi, Presidenti Topi vizitoi Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, duke u ndaluar për të shijuar mozaikët e mrekullueshëm të stilit lindor. Presidenti Topi u takua edhe me Bashkësinë e Shën Egjidit, që ka dhënë e vijon të japë një kontribut të mirënjohur në ndihmë të Shqipërisë. Intervista jonë me kreun e shtetit shqiptarRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.