(05.12.2007 RV)Fama e Shenjtit
është universale: dokumentohet nga Kishat e veprat e artit, institucionet e traditat
e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të
pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pàtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme),
e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie. Nikolla vdiq më 6 dhjetor
të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël.
Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha.
Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht
e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke
filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së
tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.
Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga
turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe,
më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor
i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë
të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë
bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket
në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve,
u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Përendimit dhe në seli të
Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”. Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu
mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli:
shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një
stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera,
të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërisht natën
e festës së Shenjtit, me devocion të jashtzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë,
ndezur për nder të tij. E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “ferliku
i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë
mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin,
Koli, Kolin e Lin. Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar
disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar
nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë
tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Kosovës, që e ka edhe pajtor.
Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor
dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me
monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.Shenjti është pajtor
i fëmijëve, i djemëve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve, i
peshkatarëve, i profumierëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar
i popullit.
Kanga e Shën Nëkollit
Sa punë të mëdhaja e mrekulli Që
ka bâ Shêjti Shën Nëkollë, Difton qiella me lumni E gjithë bota s’prajnë tue
folë. Lundërtari tue vozitë e skamnori tue lypë bukë, kangë e lavde s’ rrinë
pa qitë; Si shtegtari që bân rrugë. Si i pasë, si ai që s’ká, N’pastë ndo’i
smundje a çdo idhnim, Fill te i lumi pa ja dá N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë
sherim. Qysh se leu n’ ket botë ky fmí, Kje si hylli qi shkelxen, Kje si
drita tanë mirësí: Gjindja u mbushen me gazmend. Ai kje i pastër si bilur, I
dha trupit të madh shterngim E n’e prende e n’e merkurr Gji nuk merr, bân agjinim. Tue
u rritë me shumë urtí, Shpejt e ngjitën prindja n’ shkollë; E nji të madhe mrekullí Hin
e bân Shejti Shën Nëkollë. Kur prej shkollës po kthente n’ shpí Hasë nji grue
që ish’ tue dekë E ky djalë plot me dashtní Tue bâ kryq prej dekës e hjekë. Adeodati,
djalë dishiri, Kje grabitë e çue në mergim E i Shën Nëkolli prej Misiri Për
ajrí e çon në lirim. Tri kuleta janë dergue, Ndër tri varza mbetun shkret, Prej
dritorjet shkon me i çue E ato me nderë i qet. Tre fëmí të mbytun prej mizorit Shtî
në nji sheke copë e grimë, I ktheu n’ jetë pa kurrfarë zorit I Shën Nëkolli
me ‘i bekim. Fushë e male, tokë e dét, Uj e zjarm e diell e hanë Sa fuqí
mbi dekë e jetë Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë. Dridhet ferri prej idhnimit Kur
Shën Nëkolli n’ ball flakron, Hikë shejtani prej tmerimit Kur i k’shtêni ndihmë
kërkon. Por nji të madhe porosi O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë Na fal
t’ gjithve si dhantí Ndore tande t’ jemë përherë. E n’at ditë që t’ jetë shenjue Prej
kso jete na me u hjekë, Ndore tande kjoshim lshue Ku gjithmonë na kjeme pështetë. O
i Shën Nëkollë plot me dashtëní, Shpirtënt tonë ti na i kujtò, prap po t’ bâjmë
ketë porosí: Ti n’at’ jetë të gjithë na pshtò!
Marrë nga ‘Katekizmi
i Kishës Katolike'; hartue nga imzot Robert Ashta, botue nën kujdesin e ipeshkvisë
së Pultit, Pult 1995.