2007-12-05 16:15:02

Në audiencën e përgjithshme, katekizmi kushtuar Shën Kromacit dhe urimet e Benediktit XVI për Kohën e Ardhjes.


(05.12.2007 RV)RealAudioMP3 Uroj që Koha e Ardhjes të jetë një çast i përshtatshëm për të rizbuluar lidhjen me Hyjin, që na do personalisht e nuk na braktis kurrë në duart e armikut tonë. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI katekizmin e sotëm, kushtuar figurës së një ipeshkvi të lashtë, Shën Kromacit, që mbrojti me fe e me guxim të patundur fatet e Kishës së Akuilesë në shekullin IV, kohë tepër e vështirë për krishterimin.
Emër arkaik – mësim që nuk perëndon kurrë. Kromaci ishte ipeshkëv i Akuilesë kur qytetit të rëndësishëm të veri-lindjes italiane, qendër e fuqishme e jetës së krishterë, iu desh të përballonte persekutimet e egra të perandorëve romakë, të mbrohej nga sulmet barbare nga jashtë - e nga vala e rreptë e herezisë së Arios nga brenda. Ajo që Kormaci drejton në këto vite me guxim dhe energji është – siç pohon me vetëdije ipeshkvi – anije në detin e trazuar nga stuhia. Por jo anije e shpartalluar. Rreth dyzet predikime, fatbardhësisht të rizbuluara, flasin qartë për mësimet e tij, të cilat Benedikti XVI i përmblodhi kështu:
“Kromaci qe mësues i ditur e bari i zellshëm. Detyra e tij e parë e kryesore ishte të dëgjonte Fjalën e Hyjit, për t’u bërë, më pas, kumtues i aftë i saj: në mësimet e tij ai niset gjithnjë nga Fjala e Hyjit e tek ajo rikthehet gjithënjë. Pëlqen posaçërisht disa tematika: së pari, misterin trinitar (…) Pastaj temën e Shpirtit Shenjt (…) Por më tepër nga të gjitha, ai thekson misterin e Krishtit. Fjala e Mishëruar është Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë; mori plotësisht natyrën njerëzore, për të na dhuruar hyjninë e vet”.
Papa kujtoi se në kohën e vet, Kromaci gëzonte një nderim të thellë. Mjafton të mendojmë se atij, së bashku me ipeshkvin e Romës e atë të Milanos, i qe drejtuar një letër përmes së cilës kërkonte ndihmë ipeshkvi i asokohshëm i Kostandinopojës. Kromaci ishte ipeshkëv trim, i aftë t’i fliste pa sofizma zemrës së njerëzve në periudha kur fjala mund të davariste dëshpërimin e të ringjallte shpresat:
“Si bari i zellshëm që është, Kromaci di t’u flasë njerëzve të tij me një gjuhë të freskët, energjike, plot ngjyrime. Pa harruar përdorimin e latinishtes së tij të përkryer, i pëlqen më shumë t’i flasë popullit me gjuhë popullore, të pasur me figura që kuptohen lehtë (…). Gjithnjë në optikën e bariut të mirë, në një periudhë të stuhishme si e tija, të tronditur nga sulmet e tmerrshme të barbarëve, ai di të qëndrojë pranë besimtarëve për t’i ngushëlluar e për t’u ngjallur në shpirt besimin në Zotin, që nuk i braktis kurrë bijtë e vet”.
E nuk krijon fare kontrast kalimi nga forca njerëzore e doktrinore e ipeshkvit të Akuilesë, në butësi, kur nis të flasë për Virgjërën Mari – tha Papa:
“Doktrina e tij mariologjike është e kthjelltë dhe e saktë. Atë duhet ta falënderojmë për disa përshkrime të mrekullueshme të së Lumes Zojë: Maria është virgjëra ungjillore e aftë për të pranuar Hyjin; është delja e panjollë e e pa prekur, që lindi qengjin e mbuluar me purpur. Ipeshkvi i Akuilesë e lidh shpesh figurën e Virgjërës me atë të Kishës: që të dyja ‘virgjëra’ e ‘nëna”.
Kromaci vdiq në vitin 407 në mërgim, ku ishte strehuar për të shpëtuar nga sulmet mizore të barbarëve. Ai vdiq, por nuk vdesin fjalët e tij, me të cilat Papa vulosi katekizmin e sotëm: një thirrje drejtuar me forcë të madhe Hyjit, që Benedikti XVI e quajti plotësisht aktuale për të sotmen: “Ta lusim që të na çlirojë nga sulmet e armiqve e nga frika e kundërshtarëve. Të mos shikojë meritat tona, por mëshirën e vet!
“Kështu, pikërisht në fillim të Kohës së Ardhjes, Shën Kromaci na kujton se kjo është kohë e lutjes, në të cilën duhet të lidhemi ngushtë me Hyjin. Hyji na njeh, më njeh mua, njeh secilin nga ne, më do, nuk më braktis. Të ecim përpara me këtë besim në kohën liturgjike që sapo filloi”.
Audienca e përgjithshme bekoi simbolikisht hapjen e Vitit Kromacian në Kishat e Udines e të Goricies, besimtarët e të cilave ishin të pranishëm në Sallën e Palit VI, të shoqëruar nga ipeshkvijtë e tyre. Gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve në gjuhë ndryshme, Papa e ftoi mbarë Kishën të përgatitet për Krishtlindje me shpirtin e vigjilencës ungjillore; e kështu edhe për solemnitetin e Zojës së Papërlyer, që do të kremtohet të shtunën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.