2007-12-04 19:08:22

Shenjti i ditës: Gjon Damasheni.


(04.12.2007 RV)Shën Gjoni, meshtar e dijetar i Kishës, që u pagëzua me emrin Jahja ibn Sargun ibn Mansur, lindi aty nga gjysma e shekullit VII në një familje arabe kristiane e vdiq në vitin 749. Konsiderohet si përfaqësuesi i fundit i patrologjisë greke dhe lindore për veprat e tij monumentale, ndërmjet të cilave shquhet "Burimi i dijes". Veprimtaria e tij letrare është jashtzakonisht e larmishme: ishte poet e autor tekstesh liturgjike; gojtar, filozof e apologjet. Bir i njërit nga funksionarët më të lartë të Khalifit të Damaskut, Gjoni i vogël pati shokë lodrash princin trashëgimtar të vendit, që më vonë do t'i propozonte detyrën e t'et si ministër i financave.
Po ai, më shumë se oborrin mbretëror, më tepër se ofiqet e luksin e pallatit, parapëlqeu të mbyllej në kuvendin e Shën Sabës, pranë Jeruzalemit, ku u shugurua meshtar dhe thelloi njohuritë e tij teologjike, duke u përgatitur kështu për detyrën e predikatarit në Bazilikën e Varrit të Krishtit.
Nga Jeruzalemi zëri i tij nisi të dëgjohej në të gjithë botën e krishterë, në mbrojtje të çështjeve më të shenjta. Mbeti i famshëm shkrimi "Tri diskutime në favor të figurave shenjte" në mbrojtje të figurave kundër ikonathyersëve, të udhëhequr nga vetë perandori i Bizantit, Leoni III. Iu desh ta paguante shtrenjt këtë akt të guximshëm kundër vetë Perandorit.Në këtë diskutim filozofik, Shën Gjoni pati rastin të zbulonte gjithë përgatitjen e tij teologjike, vënë në dispozicion jo vetëm të Patrikut të Jeruzalemit, por të mbarë Kishës. Kështu në Koncilin II të Nikesë (i 7-ti ekumenik) ai u vlerësua jashtzakonisht jo vetëm për diturinë e jashtëzakonshme por kryesisht për shenjtërinë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.