2007-12-03 19:25:50

Sfidat e materializmit dhe impenjimi për pajtim, në fjalimin e Papës ipeshkvijve koreanë


(03.12.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë e Koresë, së bashku me Imzot Vençeslao Padilën, prefekt apostolik i Ulan-Batorit në Mongoli, ku jetojnë vetëm disa qindra katolikë, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’, Papa vuri theksin mbi nismat e pajtimit ndërmjet dy Koreve.
Në fillim Benedikti XVI kujtoi se shqetësimet kryesore të ipeshkvijve koreanë burojnë nga pasojat e materializmit dhe të mendësisë së shekullarizuar. E kjo është e natyrshme, sepse kur burrat e gratë largohen nga Banesa e Zotit – vërejti Ati i Shenjtë – ata pa dyshim do të ravgojnë në errësirën e shkretëtirës të izolimit individual e të copëzimit shoqëror, sepse njeriu mund ta gjejë dritën e vërtetë vetëm në Fjalën e Mishëruar. Prej këndej Papa kujtoi një shqetësim tjetër të ipeshkvijve aziatikë, atë të pjesëmarrjes së paktë të besimtarëve në kremtimet liturgjike, e drejtë e detyrë e çdo njeriu të pagëzuar. Prandaj Benedikti XVI i porositi ipeshkvijtë aziatikë ta theksojnë rëndësinë e Meshës të së dielës, duke u bërë thirrje laikëve e posaçërisht të rinjve, të thellohen shpirtërisht në kremtimin eukaristik.Më pas Papa i këshilloi prelatët t’i mbrojnë martesën e familjen e t’i përgatisin besimtarët edhe me njohuri për çështje që kanë të bëjnë me shkencat bio-mjekësore. Së fundi, inkurajimi i Benediktit XVI lidhur me të gjitha nismat e ndërmarra për pajtimin dhe mirëqenien e vëllezërve që jetojnë në Korenë e Veriut.
Pas takimit me Papën, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Koresë, Imzot Çang Yik Xhon, u shpreh kështu në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Sfida ka shumë. Por problemi kryesor, në një shoqëri si jona, ku Kisha është e vogël e besimtarët, pakicë, është bashkëjetesa me fetë e tjera, pavarësisht nga relativizmi dhe individualizmi, që synojnë ta sundojnë kulturën në përgjithësi, në epokën konsumistike. E kjo nuk është aspak e lehtë. Përpiqemi ta realizojmë përmes edukimit, përmes dëshmive, posaçërisht në jetën e përditshme të të krishterëve, edhe kjo shumë e vështirë. Po mundohemi të mbjellim celula të vogla plot gjallëri në gjirin e bashkësive të ndryshme. Çdo famulli është e ndarë në sektorë të vegjël, në gjirin e të cilëve njerëzit njihen e mblidhen për të formuar bashkësinë. Nuk shqetësohemi thjeshtë për ta ruajtur Kishën katolike, por sidomos për të jetuar në mënyrë që ta dëshmojmë fenë me jetën tonë, ta jetojmë, ta kumtojmë me shembull Ungjillin.

Pyetje: - Konferenca juaj ipeshkvnore ka juridiksionin edhe mbi Korenë e Veriut, që jeton në një situatë tepër të vështirë. Si i ndihmoni koreanët e Veriut?

Përgjigje: - E kemi, po, juridiksionin. Por nuk kemi mundësi të hyjmë lirisht në Veri. Prandaj përpiqemi t’u japim ndihma humanitare në mënyra nga më të ndryshmet e vijojmë ta bëjmë këtë vazhdimisht, duke e dalluar popullin nga regjimi: na intereson mirëqenia e popullit, e njerëzve, të cilëve u duhet mbrojtur dinjiteti i tyre njerëzor. Kjo është më e rëndësishmja. Nuk e përdorim kurrë ndihmën si mjet për ungjillëzimin, por e japim duke e vlerësuar si vlerë në vetvete.







All the contents on this site are copyrighted ©.