2007-12-03 18:34:18

Putin fiton në Rusi, por zgjedhjet "jo korrekte"


(03.12.2007 RV)Siç pritej, zgjedhjet e djeshme parlamentare në Rusi përfunduan me fitoren e partisë së presidentit Putin, e cila mori rreth 64% të votave, duke siguruar kështu edhe shumicën për të ndryshuar kushtetutën. Por shtohen polemikat, pasi OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës i shpalli zgjedhjet si “jo korrekte”. Opozita ruse flet për rrugë të hapur drejt diktaturës. Abuzimet dhe artikujt gazetareskë në favor të partisë në pushtet kanë qenë tepër të shpeshta – denoncon OSBE-ja, e cila refuzoi të monitorojë zgjedhjet.

Për çudinë e presidentit venezuelian Hugo Çavez, reformat kushtetuese të propozuara prej tij në referendumin e djeshëm u kundërshtuan nga votuesit, 51% e të cilëve i hodhën ato poshtë. 45% e popullsisë nuk iu afrua kutive të votimit. Çavez, i cili ka shpallur në të katër anët se ka ndërmend të ndërtojë socializmin e shekullit të 21-të, parashikonte ndryshimin e 69 neneve nga 350 që ka Kushtetuta e Venezuelës, me qëllim përqëndrimin e pushtetit në duart e veta. Në shumë lagje, në Karakas, njerëzit dolën në rrugë për të festuar me fishekzjarre humbjen e Çavezit.

Kremtohet sot në të gjithë botën, Dita ndërkombëtare e luftës kundër Sidës. Pas 20 vjetësh nga fillimi i kësaj pandemie, krerët e qeverive dhe të shteteve konfrontohen mbi mundësitë aktuale që ka njerëzimi për të ndalur përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse. Sida zë vendin e katërt si shkak që çon drejt vdekjes në të gjithë botën. 33 milion vetë, shumica prej të cilëve gra, janë të sëmurë nga Sida në krejt planetin, sidomos në zonën e Afrikës sub-sahariane.







All the contents on this site are copyrighted ©.