2007-12-03 18:28:49

Prodi në Shqipëri për një sërë marrëveshjesh. Kosova e pavarur, por pa u ngutur.


(03.12.2007 RV)Ndodhej sot në Shqipëri kryeministri i Italisë, Romano Prodi, i cili u takua me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, me presidentin Bamir Topi dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Ditë e rëndësishme kjo e sotmja për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh. Së pari me kolosin energjitik italian ENEL, i cili do të ndërtojë në Shqipëri një termocentral, që do të punojë me qymyr. Kapaciteti i këtij termocentrali shkon deri në 1300 Megavat. Ai do të furnizojë me energji elektrike jo vetëm tregun shqiptar, por edhe atë italian, kur të realizohen lidhjet ndërmjet Italisë e Shqipërisë dhe lidhja me rrjetin e Evropës Juglindore. Tjetër marrëveshje e rëndësishme qe ajo në fushën e drejtësisë. Sipas saj, prokurorët e të dyja vendeve do të kryejnë sëbashku hetime, si të mos ekzistonin barrierat doganore dhe kufitare, kriminelët do të mund të ekstradohen nga njëri vend në tjetrin dhe skuadra të përziera policie do të mund të luftojnë sëbashku krimin e organizuar. Bashkëpunim parashikohet edhe në marrëveshjen në fushën shkencore dhe teknologjike, firmosur, për palën shqiptare, nga ministri i Arësimit, Genc Pollo.
Në fjalën e tij para parlamentit shqiptar, kryeministri italian Romano Prodi preku edhe çështjen e Kosovës, për të cilën foli edhe me homologun e tij shqiptar Sali Berisha. Dosja delikate e Kosovës, tha Prodi, do të jetë një sprovë vendimtare për Evropën dhe për Ballkanin. Evropa dhe Rajoni i saj juglindor duhet të ecin tani me shumë se kurrë, me të njëjtin hap. Sipas kryeministrit, qëndrimi i Italisë është për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por pa u ngutur. Më parë duhet arritur kohezioni brenda Evropës e nuk është rasti, që më 10 dhjetor, kur përfundon mandati i Treshes së negociatorëve, palët të bëjnë deklarata që mund ta kompromentojnë procesin e paqes në rajon.


Ndërkaq, në Serbi e në Kosovë ndodheshin sot përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Rusisë për t’u paraqitur palëve përfundimet e bisedimeve serbo-kosovare me ndërmjetësinë e Treshës ndërkombëtare. Përfaqësuesi evropian, Volfgang Ishinger sqaroi se raporti nuk do të bëhet i njohur publikisht derisa ta marrë në dorë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, por gjithsesi, ai nuk përmban ndonjë propozim tjetër për statusin dhe vë në dukje qëndrimet e kundërta të palëve.

Në Serbi ndodhej sot, për një vizitë të fundit para se t’ia lërë vendin belgut Serxh Bramerc në fund të vitit, kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte. Pavarësisht se nënvizoi bashkëpunimin e mirë me Beogradin, Del Ponte theksoi se akoma nuk shihen rezultate konkrete. Akoma janë të lirë katër të kërkuarit kryesorë nga Gjykata e Hagës: gjenerali Ratko Mlladiç, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ish-funksionari i policisë Stojan Zhupljanin dhe serbo-kroati Goran Haxhiç.








All the contents on this site are copyrighted ©.