2007-12-01 18:56:56

Papa kryesoi Lutjet e para mbrëmësore të së Dielës I të Kohës së Ardhjes.


(01.12.2007 RV)Kohë e mirëfilltë shprese, nesër fillon Koha e Ardhjes. Është periudhë e pritjes Koha e Ardhjes, kohë që na parapërgatit për festën e madhe të Krishtlindjes. Për të kremtuar fillimin e kësaj kohe të fortë për të krishterët, Benedikti XVI kryesoi sonte, në Bazilikën e Vatikanit, Lutjet e para mbrëmësore të së Dielës I të Kohës së Ardhjes.
Pas hapjes, kremtimi vijoi me Himnet e Psalmet e Lutjeve mbrëmësore, me lutjet e heshtura personale e me homelinë e Atit të Shenjtë.
Koha e Ardhjes – shpjegoi Papa në homeli – është kohë shprese. Kjo shpresë zgjohet çdo vit në zemrat e të krishterëve të cilët, ndërsa përgatiten për të kremtuar festën e madhe të lindjes së Krishtit Shëlbues, nuk harrojnë një kohë tjetër pritjeje, atë të rikthimit të lumnueshëm të Tij, në fund të kohëve.
Duke komentuar pjesën e parë të Lutjeve, Papa vuri theksin pikërisht mbi parusinë, apo ardhjen e fundme të Zotit.
Pasi shpjegoi domethënien e fragmentit të shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Selanikasve (5,23-24) që u lexua gjatë Lutjeve mbrëmësore e që të kujton pikërisht ardhjen e fundit të Krishtit, Papa theksoi se Apostulli i nxit të krishterët të besojnë në Zotin, që është besnik e nuk do të vonojë t’i shenjtërojë të gjithë ata, që i përgjigjen hirit të tij.
Gjithë kjo liturgji mbrëmësore – vijoi Ati i Shenjtë – na fton të shpresojmë, duke na treguar, në horizontin e historisë, dritën e Shëlbuesit që vjen: “Atë ditë do të shkëlqejë një dritë e madhe; shkëlqimi i saj do ta mbushë përplot gjithësinë. Kjo dritë, që vjen nga e ardhmja e Hyjit, është dëftuar tashmë në përmbushjen e kohëve, prandaj shpresa jonë nuk është pa bazë, por mbështetet mbi një ngjarje që vendoset në histori e njëkohësisht e tejkalon historinë: është ngjarja e themeluar nga Jezusi i Nazaretit. Shën Gjoni ungjilltar e quan Jezusin ‘Drita’: është një titull që i përket vetë Hyjit – theksoi Papa – dhe në vijim kujtoi Besojmën në të cilën ne pohojmë se Jezu Krishti është Hyj prej Hyjit e Dritë prej Drite!
Më pas Bendikti XVI kujtoi Enciklikën e tij të dytë, publikuar dje, duke theksuar se ia kushtoi pikërisht shpresës këtë dokument të rëndësishëm të magjisterit e duke shprehur kënaqësinë e tij që mundi t’ ia dhuronte Kishës mbarë në të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes në mënyrë që, gjatë përgatitjes për Krishtlindje, bashkësitë e ndryshme dhe besimtarët të mund ta lexojnë e ta meditojnë, për të zbuluar bukurinë dhe thellësinë e shpresës së krishterë. Kjo shpresë – vijoi Shenjtëria e Tij – është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me fytyrën e Hyjit, atë fytyrë që Jezusi, Biri i njëlindur, na e dëftoi me mishërimin e tij, me jetën e tij tokësore, me predikimin e tij e, posaçërisht, me vdekjen e ngjalljen e tij. Shpresa e vërtetë dhe e sigurtë – shpjegoi Papa – bazohet tek besimi në Hyjin Dashuri, Atin e mëshirshëm, që e deshi aq shumë botën, sa t’i jepte Birin e Tij të vetëm. (Gjn. 10,10). Koha e Ardhjes është kohë e përshtatshme për rizbulimin e një shprese, që nuk të gënjen, por në të cilën mund të besosh, sepse është shpresa e Krishtit, Hyjit të bërë njeri, shkëmbit të shpëtimit tonë.
Që në fillim – vijoi Benedikti XVI, duke shpjeguar Besëlidhjen e Re dhe Letrat e Apostujve – shpresa e re i dallonte të krishterët nga paganët, në mes të të cilëve jetonin, sepse ata ishin pa shpresë e pa Zot në këtë botë.
Duke krahasuar kohët e bashkësive të para të krishtera me kohët moderne, Benedikti XVI theksoi se kjo shprehje i përshtatet më së miri paganizmit të ditëve tona e më pas u ndalua posaçërisht tek nihilizmi bashkëkohor, që e vret shpresën në zemrën e njeriut, duke e shtyrë të mendojë se brenda tij e përreth tij mbretëron asgjëja: asgjë para lindjes, asgjë pas vdekjes. Në të vërtetë, në se mungon Zoti, do të mungojë edhe shpresa e gjithçka do ta humbasë kuptimin e vet – shpjegoi Papa. Vihet në lojë lidhja ndërmjet jetës këtu e tani dhe asaj që e quajmë jetë të përtejme: ai ku do të shkojmë nuk është vend, është realiteti i Zotit, jeta e vërtetë për të cilën është caktuar çdo njeri. Pikërisht kësaj dëshire njerëzore iu përgjigj Hyji në Krishtin me dhuratën e shpresës.
Njeriu – nënvzoi Papa – është krijesa e vetme, e lirë t’i thotë ‘po’ ose ‘jo’ amshimit, dmth Hyjit; njeriu mund ta zhdukë Zotin nga jeta e vet, duke hequr dorë nga pasuria më e madhe. Po Zoti e njeh mirë zemrën e njeriut. E di se kush nuk e pranon, nuk e ka njohur mirë fytyrën e tij të vërtetë, prandaj – tha Papa – Zoti vijon të trokasë në portën tonë si shtegtar i përvujtë, e pret t’ia hapim, në mënyrë që ta njohin të gjithë.
E ky është edhe kuptimi i vitit të ri liturgjik që fillon – vijoi Ati i Shenjtë: është një dhuratë e Hyjit, në të cilën na dëftohet rishtas misteri i Krishtit, përmes Fjalës së Hyjit e sakramenteve, përmes Kishës që dëshron t’i flasë njerëzve të kohës sonë e t’i shpëtojë.
Më pas Papa i priu edhe Atynës dhe në përfundim të kremtimit u dha gjithë të pranishmëve bekimin e tij apostolik, që u pasua nga kënga përfundimtare, “Alma Redemptoris Mater” me muzikë gregoriane. Lajmotivi i gjithë kremtimit ishte: "Eja, o Zot, mos vono!".
 







All the contents on this site are copyrighted ©.