Liturgjia e Fjalës e Diela e Parë e Ardhjes “A". Uria jonë për qiellin.
(01.12.2007 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë së dieles, kësaj rradhe –
dëgjues të nderuar – do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë
së Fjalës së Zotit të dielës Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit
të liturgjisë kishtare. Me këtë diele ne fillojmë një Vit të Ri Kishtar, gjatë
të cilit përmes Liturgjisë së Fjalës Hyjnore do të njihemi çdo ditë, çdo të diele,
çdo të kremte liturgjike me jetën, me veprën e porosinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
Shpëtmtarit të mbarë njerëzimit. Me këtë diele të parë të kohës kishtare të quajtur
të Ardhjes fillojmë përgatitjen tonë të veçantë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes,
fillojmë pra parapërgatitjen për ta pritur Zotin që i përshkon udhët tona njerëzore
dhe që vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë duke kërkuar një zemër të
gatshme njerëzore për të banuar, për t’u mishëruar. Krishtlindja do të thotë pikërisht
Mishërim i Zotit Jezu Krisht në natyrën tonë njerëzore e në jetën tonë personale.
Krishtlinjdja është dëshmimi i faktit se Zoti e ka përqafuar natyrën tonë njerëzore,
se me dashuri Zoti i ka marrë mbi vete të gjitha të mbetat tona njerëzore, të gjitha
kufizimet, vështirësitë, mëkatet tona, të këqijat pikërisht për të na liruar nga ky
robërim vdekjepruerës shpirtëror e njerëzor.
Këtë Ai e ka realizuar përmes Dashurisë së Tij të pakufishme Hyjnore, të cilën
e mishëroi dhe e dëshmoi në Jezu Krishtin, i cili e dhuroi jetën e tij për jetën tonë
duke vdekur mbi Kryq dhe me Ngjalljen e Tij, do të thotë me ngadhënjimin e Tij përfundimtar
mbi të këqijat, mbi vdekjen dhe djallin e mallkuar na siguron ngadhënjimin tonë përfundimtar
në Të në Amshim.
E gjatë kësaj kohe shpirtërore të Ardhjes që do të zgjatë
për katër të diela Liturgjia e Fjalës së Zotit, na propozon disa personazhe apo figura
madhore biblike që na ndihmojnë e na prijnë në udhën e përgatitjes sonë shpirtërore
drejt Shpellës së Betlehemit për ta gjetur e pranuar në jetën tonë Emanuelin – Zotin
me ne: e këto personalitete janë Zoja e Bekuar, Vigjëra Mari, Izaia profet dhe Gjon
Pagëzuesi. Liturgjia e kësaj së diele të parë të Ardhjes na thërret ta presim Krishtin
të zgjuar, të jemi të gatshëm e të aftë për ti njohur e kuptuar shenjat e prezencës
( pranisë) së tij hyjnore mes nesh. Duhet të jemi të përgatitur, të gatshëm sepse
Zoti vjenë atëherë kur ne nuk e mendojmë dhe nuk e presim, pra, vjen paprimtas, kështu
që është mirë për ne, që kur të vijë Zoti në jetën tonë të na gjejë zgjuar e të përgatitur
për ta pranuar në zemrat tona. Koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje por
është edhe kohë e volitshme për t’ia kushtuar dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe e mbledhjes
e bashkimit tonë përrethë saj, e cila është dritë për hapat tanë në jetën e përdtishme. Pra,
tani ju ftoj ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të kësaj së diele, të cilat janë
si një Letër që Zoti na dërgon secilit prej nesh për të na përshëndetur dhe treguar
dashurinë e tij që ka ndaj nesh dhe për të komunikuar personalisht me ne. Këtu
mund t'i dëgjoni leximet biblike te kesaj se diele ....e pastaj komentin
nga dom Marjan Paloka...