2007-11-30 17:49:47

Shën Andreu dhe dy Kishat motra – sipas Benediktit XVI.


(30.11.2007 RV)Kisha e Romës dhe e Kostantinopojës janë vërtetë motra në saje të lidhjes vëllazërore ndërmjet Shën Pjetrit Apostull e Shën Andreut Apostull: kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 14 qershor 2006.
Lidhja e gjakut ndërmjet Shën Pjetrit Apostull dhe vëllaut të tij, Andreut, ungjillëzues i popujve grekë, është edhe sot, ashtu si para dymijë vjetësh, shenjë që i bën vërtetë motra Kishën e Romës me atë të Kostantinopojës.
Pas Pjetrit dhe përvojës së tij të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai, Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë, takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i Shën Andreut, apostullit që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin e bashkësive të para të krishtera, por mbi të gjitha, që do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve, duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine.
“Andreu, pra, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Pikërisht mbi këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi, përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive të Romës e të Kostantinopojës, Kisha vërtetë motra”.
Kështu shprehet Ati i Shenjtë për Apostullin, të cilin vijon të na e përshkruajë duke përmbledhur imtësisht fragmentet e Ungjijve që flasin për veprimtarinë e tij apostolike. Përmes kësaj veprimtarie mund të njohim së afërmi personalitetin e Shën Andreut, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke i krijuar kështu mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve. E duke e kujtuar këtë ngjarje, mund të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme e të vështira. Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq – mbi kryqin në formë iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm për t’u bërë një me Krishtin.
“Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit. Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë. Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë e të vdekjes sonë”.Ky është potreti i Shën Andreut, i përshkruar nga Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.