Shpresa në qendër të Enciklikës së re të Benediktit XVI "Spe salvi"
(30.11.2007 RV)Pas enciklikës “Deus caritas est”, Papa Benedikti XVI vazhdon
reflektimin e tij mbi virtytet teologale dhe na paraqet enciklikën e tij të dytë mbi
shpresën. Sot, më 30 nëntor u paraqit “Spe salvi” – “Me shpresën shpëtuam”. Ati
i Shenjtë merr me guxim e përvujtëri fjalën për një dokument të rëndësishëm, për një
çështje aspak dytësore për jetën e përditshme të njeriut. Pas atij mbi dashurinë,
ja tani një reflektim mbi shpresën. E nëse enciklika për dashurinë, apo erosin, agapen
dhe bamirësinë, bëri përshtypje për gjerësinë e thellësinë, për lirinë dhe seriozitetin,
tani pritet me padurim ç’mund të thotë mbi shpresën Papa, që nuk çensuron asgjë, që
nuk e shmang konfrontimin me mendimin modern bashkëkohor e me dëshpërimin e njeriut
të sotëm, nëse mund të thuhet kështu. Pritet se ç’do të ketë të vjetër e të re mbi
një temë kaq të brendshme dhe kaq të rëndësishme. Ç’do të thotë të duash është
problemi imediat, problemi i dukshëm në çdo kënd të shoqërisë e të jetës sonë personale.
Të gjithë flasin e stërflasin për dashurinë – që nga reklamat deri tek programet për
fëmijë, që nga revistat tek këngët – e kështu Papa e mori seriozisht në dorë çështjen
e dashurisë. E cila në fakt, është në gojën e të gjithëve, është kaq e dukshme. Për
më tepër, është kaq urgjente zgjidhja e problemeve të dashurisë njerëzore e kjo duket
edhe nga kronika, si ajo e zezë e si ajo rozë. Benedikti XVI hyri në tempullin e dashurisë
me respekt e me vlerësim të madh për çështjet e saj. E nëse ndërhyrja e tij mbi dashurinë
ishte shenja e vëmendjes së madhe që Kisha i kushton temës, që apasionon qartas burrat
e gratë, tani mbërrin edhe fjala e tij mbi një argument, që në ndryshim nga i pari,
kalohet pothuaj në heshtje. Kush flet për shpresën? Të jep përshtypjen se ky term
është fatkeq. Zëvendësohet me fjalë të tjera si: besimi, optimizmi… Por për të, për
shpresën, kush flet në të vërtetë, kush e merr në konsideratë? E pra, nuk është çështje
dytësore. Çdo person, çdo popull, sipas situatës në të cilën ndodhet, përballet me
problemin e shpresës. Kudo që të ndodhet njeriu, në Bangladeshin e martirizuar nga
ciklonet, apo në Irakun e goditur nga lufta, apo në heshtjen e shtëpisë së vet ku
marrëdhëniet janë bërë të tendosura, apo në vështirësitë e punës, shpresa është ajo
që e shtyn të ndërtojë akoma, të mos lejojë që çdo gjë të shkojë keq e më keq. Shpresa,
siç thoshte një poet, është virtyti më i çuditshëm, pa të cilin nuk mund të ecin virtytet
e tjera. Është pikërisht ajo që i tërheq me vete, si një vajzë e vogël që u tregon
rrugën motrave më të mëdha. Në fakt, pa të, asgjë s’do të shkonte përpara. Gjithçka
do të prishej e çdo gjë – një dashuri apo një komb – do të dënoheshin me një shkatërrim
të ngadalshëm apo të shpejtë. Edhe kur nuk e mendojmë, gjithçka varet nga fakti nëse
kemi shpresë apo jo. Në jetën private dhe në jetën publike. Pritet pra, kjo ndërhyrje
magjistrale e Papës Racinger. Sepse, pak a shumë, të gjithë e dimë se ç’do të thotë
të shpresosh. Të kesh një motiv për të thënë: nesër do të shkojë më mirë. E dimë këtë,
në mënyrë konfuze. E do të donim, që Papa të na ndihmonte ta kuptojmë më mirë, ta
kemi më të qartë vetë motivin. Sepse shohim sa shpesh shpresa zhduket, e larguar nga
sa e sa shtëpi e zyra, në sa e sa vende të sprovuara. Shohim dhe ndjejmë rreth nesh
shumë dëshpërim. I cili të bën të mos presësh asgjë. Ekziston edhe dëshpërimi i kllounit,
të atij që buzëqesh, por që nuk pret asgjë nga jeta, është i lodhur. Prandaj presim.
E pra, ashtu si herën tjetër Papa ilustroi se ç’është dashuria, duke i dhënë kuptim
një virtyti të madh të krishterë nga përvojat e dashurisë që përjetojnë njerëzit e
dashurisë, edhe kësaj radhe, presim me kuriozitet të na ilustrojë një virtyt po aq
të madh të krishterë duke i dhënë kuptim nëpërmjet jetës sonë të përditshme. Të kësaj
jete, ku përjetojmë se ç’është në gjendje të bëjë shpresa, por ku njohim edhe mungesën
e saj të pashpresë.