2007-11-30 17:12:53

Plani B për Kosovën anashkalon problemin e statusit


(30.11.2007 RV)Përvijohet një plan B për Kosovën, për të cilin do të ishin dakord pak a shumë të gjithë. Plani anashkalon Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe hap rrugën për një interpretim të ri të rezolutës aktuale 1244. Parashikon disllokimin e misionit evropian, por ruan të palëvizur numrin e forcave të NATO-s në Kosovë. Kanë folur për këtë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun dhe Përfaqësuesi i lartë evropian për Politikën e jashtme, Havier Solana, sëbashku me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs. Në OKB do të miratohet një mandat i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, për të cilin do të japin më pas mendimin e tyre edhe qeveritë e Serbisë, të Kosovës, të Rusisë dhe të SHBA-ve. Faktikisht, problemi i statusit shtyhet për më vonë.
Në këtë sens, por me një gjuhë më të qartë, u shpreh sot edhe presidenti i Francës, Nikolas Sarkozì, në takimin me kryeministrin italian Romano Prodi. Sipas tij, duhet bërë ç’është e mundur që negociatat serbo-kosovare të vazhdojnë deri në arritjen e kompromisit, por nëse kjo nuk ndodh, Parisi mbështet pavarësinë e Kosovës. Vetëm se, për presidentin Sarkozì, pavarësia duhet shpallur në momentin e duhur, kur nuk poshtëron askënd. Pra, një protektorat ndërkombëtar për Kosovën, sipas stilit të Ahtisarit, derisa të ftohen gjakrat. Në thelb, ky është propozimi i Francës. Nga ana tjetër, Prodi thekson se Evropa duhet ta zgjidhë e bashkuar këtë problem, nuk mohon mundësinë e shpalljes së pavarësisë për Kosovën, por nuk shpjegon se pse parlamenti italian është shprehur dje unanimisht për të penguar ndarjen e Kosovës nga Serbia.

Ndodhej sot në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer, i cili u kërkoi politikanëve kosovarë të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi për statusin. NATO-ja nuk do të tolerojë dhunën, theksoi Skefer. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2008, Pakti i Atllantikut mund të shtojë kontingjentin në Kosovë, nëse do të jetë e nevojshme. Gjermania dhe Britania e Madhe janë treguar të gatshme të parat për dërgimin e ushtarëve të tjerë.

Serbia bllokon deklaratën përfundimtare për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm që po zhvillohet në Madrid të Spanjës, në samitin e OSBE-së. Sipas ministrit te jashtem serb Vuk Jeremic, shkak i bllokimit te deklarates eshte bere nje pike ne tekstin e saj, ku kerkohej zgjatja e misionit te OSBE ne Kosove edhe per nje vit, pavaresisht nga rezultatet e bisedimeve per statusin. Jeremic ka pohuar se nje element i tille eshte absolutisht i papranueshem per Serbine, duke shtuar se pa nje rezolute te Kombeve te Bashkuara nuk mund te kete nje mision te OSBE-së, apo nje tjeter mision nderkombetar ne Kosove. Kështu, dokumenti perfundimtar per Kosoven nuk është miratuar. Nga Beogradi, kryeministri serb Vojisllav Koshtunica deklaron se stabiliteti ose kaosi në Ballkan varen nga SHBA-të. Sipas tij, Uashingtoni duhet të marrë në konsideratë propozimin serb për vetqeverisjen e Kosovës dhe autonominë e zgjeruar që Beogradi është gati t’i japë Prishtinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.