Papa Patrikut Bartolomeu I në festën e Shën Andreut: “Të vijojmë ecjen në rrugën e
dialogut e të dashurisë, sepse bota ka nevojë për një zë të vetëm të krishterë.
(30.11.2007 RV)Festë solemne sot në Fanar të Stambollit, seli e Patriarkanës
ortodokse ekumenike, për kremtimin e Shën Andreut Apostull. Një vit pas vizitës së
Benediktit XVI në Turqi dhe pas përqafimit me Bartolomeun I, një delegacion i Vatikanit,
i kryesuar nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit
të të krishterëve, mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën patriarkale dhe i dorëzoi
Bartolomeut I, një mesazh, një dhuratë të artit kishtar dhe një kopje të Enciklikës
Spe salvi, nënshkruar nga Papa. Në Mesazhin drejtuar Patrikut ekumenik,
Benedikti XVI prek temën e dialogut dhe të ecjes drejt bashkimit të plotë të katolikëve
me ortodoksët, për të cilin – shkruan Ati i Shenjtë - bota ka shumë nevojë. Një
zë i krishterë i pandarë mund të dëgjohet më me vëmendje, kur është fjala për të zgjidhur
problemet e epokës së sotme. Puna jonë drejt unitetit është shprehje e vullnetit të
Zotit tonë Jezu Krishtit – shkruan Papa – dhe në vijim vëren se në vitet e para të
mijëvjeçarit të tretë, përpjekjet e katolikëve dhe të ortodoksëve janë edhe më urgjente,
për shkak të sfidave, para të cilave ndodhen gjithë të krishterët dhe të cilave –
thekson Papa – duhet t’u përgjigjemi një zëri e me bindje. Në vijim Benedikti
XVI kujton kryevjetorin e vizitës së tij historike në Turqi, në fund të nëntorit 2006,
dhe përqafimin me Bartolomeun I në ballkonin e patriarkatit të Stambollit. Më pas
thekson se prania e një delegacioni vatikanas në Turqi, ashtu si dhe e një delegacini
ortodoks në Romë, në kremtimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, janë shenja të bashkimit
gjithnjë më të thellë, të përforcuar përmes marrëdhënieve personale, të lutjes dhe
dialogut në dashuri e vërtetësi. Papa kujton edhe takimin e fundit të Komisionit
të përbashkët teologjik katoliko-ortodoks, mbajtur në Ravenë, qytet në të cilin- siç
thekson Ati i Shenjtë - monumentet flasin për trashëgiminë bizantine që vjen deri
në kohët tona që nga Kisha e pandarë e mijëvjeçarit të parë. Papa e përfundon mesazhin
duke ripohuar impenjimin e Kishës katolike për të kultivuar marrëdhëniet vëllazërore
kishtare dhe për të vijuar ecjen në rrugën e dialogut teologjik, duke iu afruar kështu
sa më shumë, bashkimit të plotë.