2007-11-30 17:49:13

Enciklika e re e Benediktit XVI “Spe salvi”, (Me shpresën shpëtuam).


(30.11.2007 RV)Sot paradite, në orën 11. 00, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa nënshkroi Enciklikën e tij të dytë. Titulli “Spe salvi” (Me shpresën shpëtuam), është marrë nga letra e Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm. 8,24). Më pas Dokumenti u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Por më hollësisht nje koment mbi Enciklikën e dytë të Papës, ja çka tha At Federiko Lombardi S.J.
"Përballë mundimit dhe errësirës të së sotmes, për të ecur me besim drejt një caku të sigurtë, kemi nevojë për një shpresë të besueshme, ‘ushqyese’ e jo për fjalë boshe a sjellje subjektive; shpresë që mund ta ndryshojë me të vërtetë jetën tonë. Kjo është shpresa që i dhurohet njeriut, i cili beson në Zotin-Dashuri. Shpresa që synon të shkrihet, në fund, me dashurinë e tij të pacak, ta përfshijë e të përfshihet, jo si njeri i veçantë, por së bashku, në një takim që rivendos drejtësinë, jetën e shëlbimin, përtej të gjitha padrejtësive e dokrrave të kësaj bote.
Duke ia kushtuar Enciklikën shpresës, Benedikti XVI kap me mprehtësi një nga problemet më urgjente e më dramatike të kohës sonë, pa u zgjatë në një përshkrim të thjeshtë të dëshpërimit që ka pushtuar botën, por duke përballuar, me përvujtëri e guxim, një sërë pyetjesh të vështira - të cilave jo vetëm s’u druhet, por i kërkon - për të vënë ballë për ballë shqetësimet dhe dyshimet e njeriut bashkëkohor me përgjigjet e fesë. A nuk është shpresa e krishterë një sjellje e zbrazët, pastërtisht subjektive? Ç’kuptim ka të flasësh për jetën e pasosur? Thua s’janë këto thjeshtë fjalë që të mërzisin në kulm e që e mbyllin të krishterin në një individualizëm të dënueshëm? Që e largojnë nga impenjimi në botë e nga përgjegjësia për të marrë pjesë në luftën që duhet të bëjë çdo njeri për ta shndërruar që tani, me forcën e arsyes e të shkencës, në një mbretëri ku ka më shumë drejtësi e liri?
Papa i kthen përmbys këto pyetje, duke treguar natyrën e vërtetë të shpresës së krishterë e duke e paraqitur të mishëruar në jetën konkrete të figurave të ndritura të martirëve e dëshmitarëve në epoka të ndryshme të Kishës, deri në ditët tona. E Ati i Shenjtë nuk mjaftohet me kaq, por shpreh bindjen se refuzimi i fesë dhe i shpresës së krishterë – që është refuzim i Zotit - në fund të fundit e çon njeriun në humbjen e vetvetes. Në se shprehemi me fjalët tronditëse të Kantit, “Mbretëria e njeriut të vetëm” përfundon në “fundin e mbrapshtë të të gjitha sendeve”. Por fryma e arsyetimit të Benediktit XVI nuk është mbartëse e një kritike thjeshtë negative, përkundrazi, në të ndjehet përsëri perspektiva e dialogut, e ndihmës reciproke ndërmjet arsyes e fesë. Në një nga fragmentet më të rëndësishme, Papa pohon se është e nevojshme që epoka moderne të bëjë autokritikë për qëndrimin e saj ndaj dialogut me krishterimin e për konceptimin e shpresës. Në një dialog të tillë edhe të krishterët duhet të mësojnë përsëri ç’është, në të vërtetë, shpresa e tyre, çka mund t’i japin botës e çka nuk mund t’i japin. Në autokritikën e shoqërisë moderne, duhet të shkrihet edhe autokritika e krishterimit modern, i cili ka ende shumë për të mësuar, që ta kuptojë vetveten duke u nisur nga rrënjët e veta.
E kemi vlerësuar shumë kërkimin e faljes që ndjehet fuqimisht në fjalimet e papëve pararendës: këtu mund të themi se kemi të bëjmë me një ‘mea culpa’ karakteristike për këtë papni, në të cilën përmasa baritore e ajo kulturore shkrihen e bëhen një. Por, që të krishterët të mësojnë përsëri se ç’mund t’i japin botës – siç thotë Benedikti XVI në Enciklikën e parë - ata duhet të nisen nga Hyji; jo nga një Hyj çfaretdo, por nga Hyji që na doli para e që, në Krishtin, na u dëftua si Dashuri. Besimi në këtë dashuri – vijon Papa - ushqen lutjen që e zgjëron zemrën; mbështet shpresën, që të shtyn të impenjohesh e të veprosh, që di e do ta ndryshojë botën, pikërisht sepse synon në të përtejmen e saj; që gjen forcë t’i durojë e t’i kuptojë vuajtjet, edhe kur janë të padrejta.
Së fundi, të ndihmon ta përballosh sfidën e madhe e të fundme të fesë e të shpresës, dmth problemin e tmerrshëm të së keqes në botë, rrënjë e vërtetë e ateizmit modern. E këtu fjala e Papës arrin, pa kompromise e pa druajtje, tek ‘sendet e fundme’, tek pyetja ‘ç’ vjen pas kësaj jete, tek purgatori, ferri, Gjyqi i fundit; një Gjyq me ‘Gj’ të madhe, para të cilit nuk do të dalë vetëm individi, por të gjithë. Një gjyq që të kujton me forcë përgjegjësitë, por, sidomos, që rivendos në mënyrë të plotë e përfundimtare drejtësinë dhe që e shkrin në perspektivën e Dashurisë. Një Gjyq të cilin, prandaj, nuk duhet ta shikojmë me tmerr, por me shpresë.
Sigurisht që, me gjithë shijen e hollë shpirtërore dhe pasurinë kulturore me të cilën kapen shqetësimet dhe dëshirat më të thella të njeriut të sotëm, nuk mund të mohohet se kemi të bëjmë me një fjalim shqetësues për një mendësi që është mësuar të mbyllet në horizontin tokësor, siç është mendësia e shumicës së bashkëkohasve tanë. Por pikërisht këtu duhet kërkuar gjëja më e rëndësishme që të krishterët mund t’u ofrojnë atyre, e mund të themi, edhe më e bukura.
I jemi, prandaj mirënjohës Benediktit XVI që na i kumtoi edhe një herë, me forcë e ëmbëlsi, me përpikmëri e thellësi shpirtërore, çështjet vendimtare të cilat i krishteri mund t’ia propozojë njeriut e botës; ato që shpesh rrezikohemi t’i harrojmë, në sa pikërisht prej tyre varet vetë mënyra si jetojmë e si ecim në këtë botë".







All the contents on this site are copyrighted ©.