Shpresa për paqen në Lindjen e Mesme pas konferencës së Anapolisit
(29.11.2007 RV)Konferenca e Anapolisit
mbi Lindjen e Mesme, e sapopërfunduar, ndan analistët e vëzhguesit mbi rolin që mund
të ketë në procesin e paqes. Sigurisht, ka meritën se rifilloi procesin, se vendosi
data të qarta për përfundimin e tij - edhe pse fundi i vitit 2008 duket qartë se është
një afat i presidentit amerikan Bush, pasi në atë kohë i mbaron mandati – dhe se mblodhi
në një takim 16 vende arabe për një qëllim të vetëm. Ndërkaq, katër palestinezë, militantë
të Hamasit, janë vrarë gjatë natës në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës e
dy milicë të tjerë të brigadës al Kasam janë vrarë nga një tank izraelit në jug të
Rripit të Gazës. Sot, OKB-ja ka shpallur një ditë solidariteti me popullin palestinez.
Pas konferencës së Anapolisit, a është me të vërtetë e ndryshme perspektiva për Lindjen
e Mesme? Të dëgjojmë një arab të krishterë, që jeton në Betlehem. Quhet Çarli Abu
Saada: Gati të gjithë palestinezët janë skeptikë, fatkeqësisht me të drejtë.
Janë skeptikë për gjithçka po ndodh. Sepse ne palestinezët kemi asistuar, kemi parë
shumë konferenca paqeje që nuk kanë sjellë asgjë! Ne duam vetëm drejtësi, drejtësi
dhe paqe. Nuk ka drejtësi pa paqe, nuk ka paqe pa drejtësi. Por unë personalisht jam
optimist për të ardhmen: kemi rreth 11 muaj përpara tetorit të ardhshëm, të shpresojmë
se gjërat do të ndryshojnë, shpresojmë se si izraelitët, ashtu edhe tanët, palestinezët
të jenë gati të lëshojnë pe diku. Nuk mund të bëhet ndryshe: ne duhet të paguajmë
diçka e izraelitët duhet të lëshojnë pe e të paguajnë diçka nga ana e tyre.
Një
atentat dhe një manifestim kundër presidentit të Pakistanit shënojnë ditën në të cilën
Musharraf mori sërish mandatin e presidentit civil të vendit. Dje ai hoqi dorë nga
detyra e kreut të ushtrisë. Por në Lahore, rreth 200 manifestues avokatë protestuan
kundër presidentit të ri dhe u ndeshën me policinë. Rreth 12, të plagosurit. Për t’u
bërë edhe një herë president pas dy mandateve, Musharraf shpalli gjendjen e emergjencës
dhe ndërroi të gjithë gjykatësit, që duhej të prononcoheshin mbi legjitimitetin e
një mandati të tretë të tij. Kjo qe edhe arësyeja e protestës së avokatëve e gjykatësve.