(29.11.2007 RV)Më 29 nëntor Shqipëria
u çlirua nga pushtuesit nazistë.
Jeronim De Rada (ital. Girolamo De
Rada, 1814-1903), shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe, figura më e shënuar
e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, bir i
një prifti ortodoks në Maq (ital. Macchia Albanese) në malet e krahinës së
Kozencës, lindi më 29 nëntor 1814. Autorin e poemës së pamort 'Këngët e Milosaos',
nën titullin italisht Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del
despota di Scutari (Poezi shqiptare të shekullit XV. Këngët e Milosaos, bir i
despotit të Shkodrës) e të një mori veprash të tjera, si Canti storici albanesi
di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino, Napoli 1839 (Këngë historike
shqiptare të Serafina Topisë, gruaja e princit Nikollë Dukagjini), që kërkojnë një
hapësirë të veçantë, po e kujtojmë sot me vargjet simbolike, shkëputur pikërisht nga
Këngët Milosaos:
“Përse të venë në det Mendimet, zemëra ime? Zbardhuan
anijezat, Panë këndej e u fshehën… Erdhi dita e Arbërit! Doemos
do vdesim Mbi shtrat, në mos rënçim Në prag të shtëpive tona: E
nën dhe do të harrohen Shokët e vëllezërit Krojet e katundi ynë! [...]
I vetmuar, i varfër, gjysmë i verbuar, i uritur, De Rada vdiq në vendlindje,
në malësinë e Kalabrisë, më 28 shkurt 1903 - fund tragjik, jo i pazakontë ndër shqiptarë,
ky për një figurë të kaq të madhe të kulturës shqiptare, në veprat e të cilit Shqipëria
u bë realitet poetik, para se të ishte bërë entitet politik.
Më 29 nëntor
lindi në Vajzë të Vlorës Ali Asllani, poet, atdhetar, diplomat, pjesëmarrës
i kuvendit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë, me detyra të posaçme në shumë qeveri.
Është autor i poemës satirike "Hanko Halla" e vepra të tjera, si "Shqipëria kryesorja";
"Vajza dhe dallëndyshet", "Kur merr zjarr rrufeja" etj. Është edhe autor i këngës
së njohur patriotike "Vlora, Vlora". Vdiq më 1996.
Më 29 nëntor lindi Teodor
Ippen, diplomat austriak, studiues që shkroi shumë për Shqipërinë. Kujtojmë "Kontribut
për Shqipërinë në shekullin XX", "Kanuni i maleve në Shqipëri"; "Si u caktuan kufijtë
e Shqipërisë” etj. Dha një ndihmesë të madhe për çështjen shqiptare, posaçërisht në
Konferencën e Ambasadorëve në Londër për caktimin e kufijve të Shqipërisë.
Përkujtohet
85- vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare: 1 Kur
në vitin 1920 Qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe e sapoardhur në
Tiranë - më 20 shkurt ajo kishte zhvilluar këtu mbledhjen e saj të parë - vendoste
themelimin e një "Biblioteke Kombëtare" shteti shqiptar i sapokrijuar ndodhej në njërën
nga epikrizat e tij. Në shkurt qeveria sapo ia kishte dalë të merrte prej Forcave
ndërkombëtare Shkodrën, të cilën e mëtonte Mali i Zi; më 18 maj qe nënshkruar i quajturi
"Protokoll i Kapshticës" për evakuimin e territoreve të Shqipërisë juglindore si nga
trupat frënge ashtu edhe nga ato greke; më 12 qershor Vlora me hinterland ishte çliruar
prej regjimit ushtarak italian; në Shqipërinë e mesme po shtypte anarkinë sadiste
Bajram Curri me trupat e vullnetare; më 22 qershor qeveria e Romës qe detyruar të
denonconte traktatin Tittoni-Venizelos dhe të traktonte paqen me qeverinë shqiptare;
në fund të gushtit dibranët e komanduar nga Elez Isufi kishin çliruar Peshkopinë dhe
po i detyronin trupat jugosllave të tërhiqeshin matanë kufijve të 1913-s. Lidhja e
Kombeve ende nuk ishte bindur ta njihte Shqipërinë si shtet të pavarur. Megjithëkëtë,
në njërën ndër mbledhjet e qeverisë shqiptare, me sa rezulton në atë të mbrëmjes së
datës 27 gusht 1920, vendosej që Shqipëria të bëhej me "Bibliotekë Kombëtare". "Vit
të mrekullueshëm" e kam quajtur 1920-n në një ese timen të vjetër. Padyshim që njëra
ndër mrekullitë që bënë shqiptarët atij viti është edhe vendimi për themelimin e këtij
institucioni të cilit sot i festojmë 85-vjetorin e ekzistimit. Festojmë 85-vjetorin,
sepse përurimi i institucionit të themeluar më vendimin e 1920-s u krye dy vjet më
vonë, më 1922. Nga ceremonia e përurimit kemi sot njoftimin autentik të Fletores zyrtare,
nr. 56, të vitit 1922: "Me rasë të bukur të kremtimit të flamurit komtar [pra: më
28 nëntor, A.P.] u ba shugurimi [d.m.th. përurimi] i Bibliothekës Komtare, qi gjindet
në Ministri t'Arsimit. Urdhënuenplot zotni e Drejtori i Bibliotehkës z. Prof. Karl
Gurakuqi mbajti nji bisedë të bukur tue tregue historin e shkurtë të sajë Bibliotheke".
Në njoftimin autentik të Fletores zyrtare të asaj kohe citohen pjesë nga Fjala e drejtorit
të Karl Gurakuqit, përmenden ndihma e drejtpërdrejtë që jepte për mbërritjen në përurim
ministri i atëhershëm i Arsimit z. Rexhep Mitrovica, dhuratat në libra që i mbërrinin
Bibliotekës nga "të gjitha anët": veçan një donacion nga qeveria franceze, si dhurata
nga Kolonia shqiptare e Rumanisë, por posaçërisht nga bibliofili në zë Mit'hat Frashëri.
Ditën e 28 nëntorit 1922, kur më në fund institucioni i përuruar do të thirrej
"Bibliotekë Kombëtare", Fletorja zyrtare e quante "ditë e madhnueshme". Sot në
85-vjetorin e atij përurimi na bie detyra të përkujtojmë ata qindra punonjës që i
kanë kushtuar energjinë e tyre dhe, në shumë raste, pasionin e jetës së tyre Bibliotekës
sonë Kombëtare: duke filluar prej punonjësve më të thjeshtë, atyre që kanë kryer detyrat
e nderuara të rojave ose të punonjësve të higjienës, deri te specialistët më të lartë
dhe te drejtuesit. Ndër drejtuesit do të dëshiroja të spikasja emra të nderuar, si
Karl Gurakuqi ose Sotir Koleja nga periudha e paraLuftës, Haki Stërmilli ose Aleks
Buda nga periudha e mbasLuftës, të cilët kanë lënë gjurmë të ndjeshme në pasurimin
e këtij institucioni posaçërisht për ç'u përket koleksioneve të Arkivit dhe atyre
të Albano-Balkanologjisë. Po me këtë rast - duke qenë se kam hyrë tanimë në vitin
tim të dhjetë në drejtimin e këtij Institucioni - ndiej detyrë të falenderoj të gjithë
ata punonjës me të cilët kam punuar dhe vijoj të punoj; në mënyrë të veçantë anëtarët
e dy këshillave, atij administrativ dhe atij shkencor, me të cilët kam pasur kënaqësinë
të bashkëpunoj. Nuk dua të harroj në këtë falënderim punonjësit që tanimë janë të
pensionuar, qysh prej brezave më të vjetër të cilët nuk i kemi ndeshur e nuk i kemi
njohur, por që kanë lënë mundin e tyre në përparimin e këtij institucioni: paçin pleqëri
të mbarë! Ndërsa ata që nuk janë më në jetë le të mbesin të përkujtuar këtu, në fjalën
time dhe në këtë ceremoni festimi. [...] 1 Fragment nga Fjala e
Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, dr. Aurel Plasari