2007-11-29 18:45:25

Benedikti XVI pret kryeministrin slloven Janez Jansha


(29.11.2007 RV)Sot Papa Benedikti XVI priti në audiencë kryeministrin e Sllovenisë, Janezh Jansha, i cili shoqërohej nga ministri i jashtëm i kabintetit të tij si dhe nga ambasadori i Vendit ballkanik pranë Selisë së Shenjtë.
“Kryeministri slloven – pohon një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – shprehu mirënjohjen e Kombit të vet për vëmendjen me të cilën Selia Apostolike i ndoqi zhvillimet në Slloveni që nga pavarësia dhe e ftoi Atin e Shenjtë të vizitojë vendin ballkanik në vitin 2009, me rastin e Vitit të të Rinjve dhe të mbylljes së Kongresit Eukaristik Kombëtar”.
Ndërmjet temave që u prekën gjatë bisedimit, i cili zgjati rreth 20 minuta, ishte edhe ajo e presidencës sllovene të turnit në Këshillin e Bashkimit Evropian, të cilin Sllovenia (i pari vend i ish-bllokut sovjetik) do ta marrë duke nisur nga 1 janari 2008. Kryeministri slloven e informoi Papën edhe për nismat kryesore të presidencës gjatë semestrit të ardhshëm”.
Zoti Jansha i dhuroi Papës një kelk qelqi blu, të zbukuruar me yje të arta, që të kujtojnë flamurin e Bashkimit Evropian.
Pas bisedimeve me Benediktin XVI, kryeministri slloven u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, i cili uroi që gjatë semestrit të presidencës sllovene të arrihen rezultate pozitive, posaçërisht për stabilitetin dhe paqen në Jug-lindjen evropiane. Së fundi u trajtuan disa çështje me interes të përbashkët, si procesi i rikthimit të pasurive të Kishës, të shtetëzuara gjatë regjimit komunist dhe perspektivat e ngritjes së ordinariatit ushtarak.







All the contents on this site are copyrighted ©.