2007-11-27 16:00:08

Ortodoksët e vlerësojnë Benediktin XVI, sepse nënvizon nevojën e bashkimit të jetuar: mendim i imzot Pecit, kryeipeshkëv në Moskë.


(27.11.2007 RV)Dita e reflektimit, që i parapriu Konçistorit për krijimin e 23 kardinajve të rinj konfirmon impenjimin e bindur ekumenik të Benediktit XVI. Është një impenjim që Papa e vuri në plan të parë që në fillim të papnisë së tij. Për një koment mbi mënyrën e perceptimit të këtij impenjimi nga bota ortodokse, intervistuam kryeipeshkvin metropolit të kryedioqezës së ‘Nënës së Zotit’ në Moskë, imzot Paolo Pecin:

Përgjigje: - Më duket se gjykimi i botës ortodokse është përgjithësisht pozitiv, posaçërisht për dy arsye. E para, për faktin se Papa nuk e thekson ekumenizmin në përgjithësi, por kërkon që bashkimi të jetohet. E ky më duket një aspekt i kuptuar shumë drejtë. E dyta, për arsye se Ati i Shenjtë ka shprehur dëshirën të bëjë ç’është e mundur për t’i kapërcyer pengesat në rrugën e bashkimit të plotë. Pra, vërejmë edhe dëshirën për të mos u fshehur përballë problemeve që mund të dalin por, përkundrazi, për t’i përballuar me duresë e guxim.

Pyetje: - Ju, imzot Peci, jeni takuar këto ditë me Atin e Shenjtë. Besojmë se Papa ju ka folur për Kishën ruse e për dialogun me ortodoksët…?

Përgjigje: - Në takimin që pata me Benediktin XVI vërejta menjëherë pasionin e Papës për të mirën e Kishës katolike, kudo që ndodhet, e prej këndej, edhe për grigjën e vogël katolike, të pranishme në Moskë. Në radhë të dytë, vërejta edhe sa i interesuar është Papa për marrëdhëniet me ortodoksinë.

Pyetje: - Duke komentuar emërimin tuaj, metropoliti Kirill nënvizoi se ka ardhur koha ‘e shkrirjes së akujve’ ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Gjithsesi, vështirësitë nuk mungojnë! Patriarkana ka shprehur shumë rezerva për Dokumentin e Ravenës. Mbi cilat pika mendoni se duhet të mbështeten të dyja palët, për rifillimin e një fazë të re në marrëdhëniet ndërmjet Romës e Moskës?

Përgjigje: - Më duket se janë dy, rrugët që mund të na ndihmojnë shumë. E para: t’i diskutojmë së bashku, pa frikë, edhe pikat e vështira, pikat në të cilat mendimet tona ndryshojnë, ato që mund të themi se përbëjnë pengesa ose probleme në rrugën e bashkimit. E dyta: ka një terren në të cilin, me sa më duket - po eksperimentohet kjo rrugë. Terreni shoqëror, terren i përbashkët, në të cilin vlerat e rrënjosura në Krishtin mund të jenë rast dialogu e takimi.

Pyetje: - Kemi përmendur marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Ç’mund të na thoni për marrëdhëniet aktuale ndërmjet besimtarëve katolikë e ortodoksë në Rusi?

Përgjigje: - Në zona të veçanta marrëdhëniet, posaçërisht ndërmjet klerikëve, janë më të ngushta, më domethënëse, më miqësore. Ndërsa në zona të tjera, ka më shumë vështirësi në këtë drejtim. Mendoj se besimtarët duhet t’i njohin reciprokisht më mirë Kishat tona. Siç e dimë, njohja nuk është kurrë abstrakte. Një njohje e tillë duhet shoqëruar edhe me veprimtari të dashurisë së krishterë, dmth me bashkëpunim konkret.

Pyetje: - Kardinali Kasper pohoi, këto ditë, se një takim i Papës me Patrikun e Moskës do të ishte i dobishëm. Ç’duhet bërë që ky takim të jetë edhe i mundshëm?

Përgjigje: - Kësaj pyetjeje, thënë sinqerisht, është e vështirë t’i përgjigjem. Që takimi, nga i dobishëm, të bëhet i mundshëm, duhet sidomos të jetë faktikisht i dobishëm. Atëherë duhet përcakuatuar në ç’ drejtim mund të jetë i dobishëm. Më duket me vend edhe të mos mendohet se çdo gjë varet nga ky takim, i cili duhet parë si një hap shumë i rëndësishëm gjatë rrugës së përbashkët, e jo si një takim jashtë kësaj rruge. Mendoj se për këtë foli edhe kardinali Kasper, i cili theksoi se takimi mund t’i japë një nxitje të re ecjes në rrugën që jemi duke e bërë së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.