2007-11-27 15:59:57

Në Vatikan vijon vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të gadishullit të Koresë.


(27.11.2007 RV)Filloi vizita “ad Limina apostolorum” e ipeshkvijve të Koresë në Vatikan. Gjatë javës në vijim prelatët do të takohen me Benediktin XVI, takim gjatë të cilit do të flitet për përballimin e sfidave baritore të Kishës katolike në vendin aziatik.
Fillimisht nën sundimin japonez, në vitin 1945 Koreja e Veriut u pushtua nga Rusia, ajo e Jugut, nga SHBA. Në vitin 1948 u nda në dy shtete, ndërsa më pas provoi konfliktin e përgjakshëm që lindi nga qëndrimi i boshtit Moskë-Pekin kundër koalicionit ndërkombëtar, të udhëhequr nga SHBA me mandat të OKB-së. Sot Koreja ecën në rrugën e ndërlikuar të kërkimit të paqes. Më 4 tetorin e kaluar, në Piongjang, gjatë takimit të rangut të lartë mbarëkorean, u nënshkrua Deklarata historike për zhvillimin e marrëdhënieve, për paqen e prosperitetin ndërmjet dy Koreve, të cilat vijojnë të jenë në gjendje lufte, pas armëpushimit të nënshkruar në vitin 1953.
Por, siç pohon ipeshkvi–ndihmës i Seulit, Lukas Kim Un-hoe, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për pajtimin e popullit korean, në takim nuk u prek tema e të drejtave të njeriut dhe ajo e lirisë fetare, ndërsa impenjimet e marra për çarmatosjen bërthamore të Veriut si dhe për ribashkimin e familjeve, janë ende larg realizmit.
Kujtojmë se numri i katolikëve në Kore është mjaft i madh: 5 milionë besimtarë, pothuajse të gjithë në Jug. Kështu mund të themi se Koreja e Jugut zë vendin e katërt në Azi për numër të krishterësh, pas Filipineve, Indisë e Vietnamit. Vitet e fundit Kisha katolike jugkoreane është pasuruar me një numër të madh besimtarësh, të pagëzuar në moshë të pjekur, ndërsa shqetësohet kryesisht për ndikimin gjithnjë më të fuqishëm të shekullarizimit, të frymëzuar nga modelet dhe stilet e jetës perëndimore, që përhapen gjithnjë më me shpejtësi nga globalizimi dhe nga mjetet e komunikimit, të cilat po depërtojnë gjithnjë më shumë edhe në shoqërinë koreane, ku po përhapen edhe lëvizje shpirtërore pseudo-fetare. Kisha katolike është në vijën e parë të frontit në disa fusha: në luftën kundër abortit, kundër dënimit me vdekje, kundër klonimit të embrioneve njerëzore, kundër projekteve të dëmshme për ambientin, kundër luftërave dhe garës së armatimeve.Ndërsa është për pajtimin e plotë kombëtar dhe për shtimin e radhëve të meshtarëve katolikë në Korenë e Veriut, ku është themeluar Kisha e Jankungut në Piongiang e ku nuk ka munguar kurrë ndihma materiale e shpirtërore e sivëllezërve të Koresë së Jugut.







All the contents on this site are copyrighted ©.