2007-11-26 17:41:43

Sot kisha katolike përkujtoi Shën Leonardin e Porto Mauricios.


(26.11.2007 RV)I dërguar nga Papa në Korsikë për të rivendosur harmoninë ndërmjet qytetarëve, Shën Leonardi nga Porto Maurizio mbajti një predikim me temën e Mundimeve të Krishtit në sheshin publik të qytetit. Ishte aq e frymëzuar fjala e tij, sa njerëzit e mbledhur në shesh, të ndarë nga inate të vjetra, shkrehën armët në ajër dhe u përqafuan me njëri tjetrin në një gjest paqeje, që as mund të mendohej pak orë më parë. Kaq i fuqishëm ishte predikimi i Shenjtit, kaq bindës, kaq pajtues - gjithnjë në emër të Krishtit.
Shën Leonardi njihet sa për predikimet e tij, aq për ideimin e Udhës së Kryqit, lutjes që përshkon rrugën e Krishtit deri në Kalvar, deri në kryqëzim. Po ky shenjt shpëtoi Koloseun nga shkatërrimi i plotë dhe kremtoi aty Udhën e Kryqit në kujtim të martirëve të bashkësive të para të krishtera. Shenjti, lindur më 1676, në Ligurie të Italisë, në Porto Mauricio ( që sot, i bashkuar me Oneglien formon qytetin e Imperies) në familjen e një kapiteni marine, mbeti jetim në moshë të njomë. Leonardi kreu studimet në Romë pranë Kolegjit romak, për të hyrë pastaj në Kuvendin e Shën Bonaventurës, në Palatin, ku veshi zhgunin françeskan.







All the contents on this site are copyrighted ©.